Kryeministri Rama e konsideroi “sinjal pozitiv” deklaratën e Presidentit francez Macron për hapjen e negociatave me Shqipërinë pas raportit të Komisionit Evropian.
“Në fakt unë nuk e ndoqa dot Presidentin se isha në takime të tjera por nga sa munda të lexoj është një sinjal pozitiv”, tha Kryeministri Rama për gazetaren e RTSH-së, nga Mynih.
Ai tha se nuk duhet të “ushqejmë veten me iluzione dhe dëshira të skajshme edhe pse shumë legjitime. Le të presim me durim dhe të punojmë me këmbëngulje ashtu siç do të punonim po të ishin hapur negociatat”.
Presidenti francez Emanuel Makron, dje, në Konferencën e Sigurisë së Mynihut në Gjermani, tha se: “Ne jemi duke pritur për raportin në mars … në varësi të rezultateve, nëse do të jenë pozitive dhe do të kemi krijuar besim, atëherë do të jemi në gjendje t’i hapim negociatat”.