Kryeministri Edi Rama postoi sot në rrjetet sociale foton e përvitshme formale me presidentin Trump dhe zonjën Trump, në pritjen që këta organizojnë çdo vit për udhëheqësit botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombëve të Bashkuara.
Rama njoftoi përpara nisjes për në Nju Jork se po shkonte të takohej me “Presidentin e Shteteve të Bashkuara” dhe me të tjerë udhëheqës botërorë.
Exit.al ngriti dyshime dje nëse Rama nënkuptoi një takim mënjanë punimeve të Asamblesë, ku të bisedonte me presidentin Trump, apo vetëm një shtrëngim duarsh dhe përshëndetjet e mirësjelljes së rastit përpara shkrepjes së fotos, si qindra të ftuarit e të tjerë.
Gjatë pritjes së përvitshme nga çifti presidencial në SHBA, të gjithë kryetarët e delegacioneve të shteteve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara bëjnë nga një foto me presidentin e SHBA-ve.
Kryeministrit Rama postoi vetëm këtë foto sot, pa njoftuar nëse ka pasur ndonjë takim me presidentin Trump, siç ai vetë e kishte lajmëruar më herët.
Rama ka dalë edhe më herët në foto me Presidentin Trump, por edhe me Presidentin Obama. Ai ka tentuar disa herë t’i reklamojë fotot me udhëheqës botërorë si tregues të afrimitetit të tij me ta. Megjithatë, deri tani takimet e tij shumë të shkurtra me presidentët amerikanë kanë pasur si rezultat për qytetarët shqiptarë vetëm një foto të kryeministrit të tyre.