Kryeministri Edi Rama premtoi heqjen e taksës për pagat deri në 40 mijë lekë. Rama premtoi nisjen e taksës 23 përqind mbi pagat 200 mijë lekë.
“Po mendojmë që deri në 40 mijë lekë të ketë zero taksa. Ne do të rrisim tavanin se ku fillon dhe numërohet 23-përqindshi, i rrogës mbi 30 mijë lekë. Po mendojmë ta fillojmë tek 200 mijë lek”, u shpreh kryeministri në një bashkëbisedim me qytetarët e Vlorës, të premten.
Rama u shpreh se ky premtim do të realizohet me siguri në 1 janar 2023, por nëse “kalkulimi del i besueshëm do ta bëjmë më 1 janar të 2022”.
Gjithashtu, edhe opozita ka premtuar zero taksë për rrogën deri në 30 mijë lek, dhe më pas vendosjen e taksës prej 9 përqind për të ardhura mbi këtë tavan.
Aktualisht, pagat deri në 30 mijë lekë nuk taksohen; pagat mujore nga 30.001 lekë – 150 000 lekë, tatohen me 13 përqind e shumës mbi – 30 000 lekë; dhe pagat mujore nga 150 001 lekë e më tepër tatimi është 15,600 lekë plus 23 përqind e shumës mbi
150,000 lekë.