Kryeministri Edi Rama u përfshi në diskutimet e shumta për çmimin Nobel në Letërsi të dhënë Peter Handkes.
Në një opinion të shkruar për Politico.eu, Rama arrin lehtësisht në përfundimin se duke i dhënë Handkes çmimin, Akademia Suedeze “ia doli mbanë të ulë vlerat e çmimit dhe të përfshihet në një skandal tjetër, që do të dëmtojë imazhin e saj për dekada e ardhshme”. Një deklaratë kaq e fryrë është e denjë për një autokrat në lulëzim.
Interesante, sidoqoftë, janë argumentet që sjell Rama, në veçanti ato në lidhje me marrëdhënien ndërmjet artit dhe politikës:
“Mbrojtësit e vendimit të Akademisë Suedeze kanë deklaruar se pikëpamjet e Handkes duhet të mbahen të ndara nga aftësia e tij unike artistike dhe kontributi në letërsi. Disa madje kanë argumentuar se qëllimi i shkrimtarit austriak ishte gjithmonë të provokonte, dhe se besimet e tij të pazakonta duhet të shihen si pjesë e një përpjekjeje të gjerë për të përhapur diskutime dhe mendimin e lirë politik nga kufizimet e tepërta.
Ta ndash veprën letrare të Handkes nga vepra e tij politike do të ishte një gabim i madh. Me miratimin e tij për regjimin e Millosheviçit dhe me shpërfilljen për viktimat e genocidit, spastrimin etnik dhe torturat, vepra e Handkes është thellësisht politike.”
Kjo është një deklaratë interesante, po të kemi parasysh që Kryeminsitri Rama dhe mbështetësit e tij në botën e artit si Hans Ulrich Obrist janë përpjekur të bëjnë ekzaktësisht këtë gjë: ta ndajnë veprën e tij artistike nga vepra politike dhe polikat e tij qeverisëse.
Tregues i këtyre përpjekjeve ishte përballja e tij me kuratoren shqiptare Eriola Pira, e cila e kritikoi publikisht Ramën për politikat e tij, gjatë një bisede në Galerinë e Artit Marian Goodman në New York, në 2016.
Në ndërhyrjen e saj, Pira adresoi shkatërrimin sistematik të institucioneve publike në Shqipëri, dënimin e studentëve aktivistë, përdorimin e artit si mjet për propagandën politike të Ramës.
Nëse kryeministri Rama do të kishte qenë i sinqertë në kritikat e tij ndaj mbrojtësve të Handkes, ai do të ishte përfshirë në një diskutimi të hapur mbi marrëdhënien midis veprës së tij artistike dhe politikave të tij. Por, ai me zemërim nuk pranoi t’i përgjigjej Pirës, dhe madje u duk sikur e kërcënoi, duke i thënë se “asgjë nuk do t’i ndodhë” asaj.
Nëse qëllimi i artikullit të Ramës në Politico.eu nuk është mbajtja e një qëndrimi pro diskutimit të hapur për marrëdhëniet mes artit dhe politikës – qoftë në rastin e Hankes, ashtu edhe në rastin e tij si rrjedhojë – atëherë cili është motivimi i tij?
Është e vështirë ta shmangësh përshtypjen se duke iu bashkuar sulmeve që dënojnë Handken, Rama po përpiqet të heqë vëmendjen e publikut nga marrëdhëniet e tij me mbetjet nga regjimi i Milosheviçit, konkretisht me ish-ministrin e Informacionit dhe presidentin aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiçin.
Më 10 tetor, ditën që u shpall çmimi për Handken, Rama fluturoi me një avion privat, të financuar nga burime ende të panjohura, për në Beograd, ku bisedoi për “Shengenin ballkanik” me presidentin Vuçiç dhe kryeministrin maqedonas Zoran Zaev.
Në këtë takim vihej re mungesa e përfaqësuesve të shtetit të Kosovës, Bosnjës, dhe Malit të Zi, të gjitha vende që i njohin mirë krimet genocidiale të Milosheviçit dhe përpjekjet e Vuçiçit për të heshtur kritikët e tij, ndërkohë që përdor median kombëtare për të transmetuar propagandën e tij nacionaliste kundër kosovarëve.
Në mënyrë të kuptueshme, udhëheqësit e sapozgjedhur të Kosovës i panë me dyshim veprimet e Ramës në Beograd. Udhëheqësja e LDK-së Vjosa Osmani e quajti mbledhjen Serbi-Shqipëri-Maqedoni e Veriut “fatkeqësi”, ndërsa drejtuesi i LVV-së Albin Kurti deklaroi se “zyrtarët e Tiranës duhet ta shohin Serbinë me sytë e kosovarëve”.
Nuk është se Ramës i interesojnë të gjitha këto. Madje do të ishte e tepërt t’ia kërkojë këtë dikujt që pranon publikisht se nuk di asgjë për reformat e veta apo për konventat europiane. Ai thjesht donte të thoshte diçka për çmimin Nobel sepse për të po flisnin të gjithë.