Si pjesë e rubrikës propagandistike Revolucion Digjital, kryeministri Edi Rama deklaroi se deri në fund të vitit, 92 përqind e shërbimeve nga institucionet do të merren online pa patur nevojë të mbahet radhë.
Gjatë një vizite në Institutin e Sigurimeve Shëndetësore në Durrës, të martën, Rama deklaroi se nga janari e deri në gusht ISSH ka marrë 104,610 aplikime online. Sipas tij kjo shifër mund të llogaritet në çerek milioni lekë shpenzime për transport, të cilat janë kursyer nga xhepat e qytetarëve.
Ai pohoi se gjatë këtyre muajve ISSH ka siguruar 13,173 dokumenta ndaj qytetarëve, duke i bërë thirrje qytetarëve të aplikojnë në e-Albania për të shmangur radhët e gjata.
Rama më herët njoftoi qytetarët se portali e-Albania është vlerësuar si model suksesi në raportin e OECD-së, OKB-se dhe DASH-it.
Sipas Ramës nga 1 janari 2020, në e-Albania janë bërë plot 2,5 milionë aplikime online të bëra nga 1,1 milionë qytetarë dhe biznese.
Vlen të kujtohet se gjatë karantinës, të gjithë qytetarët duhet të aplikonin për leje në portalin e-Albania, nëse duhet të dilnin nga shtëpia për të kryer pazaret apo për të shkuar në punë.