Kryeministri Rama ka quajtur “sinjale të mira” për shtetin e së drejtës vendimin e GJKKO për dënimin me burg të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Rama ka komentuar dënimin e ish-kryeprokurorit në një intervistë për televizionin francez France 24.
“Nëse ish-kryeprokurori, dhe ish-personalitete të gjyqësorit dhe politikës dënohen është një sinjal i mirë për shtetin e të drejtës, prandaj ne vazhdojmë këtë proces negociatash, për të ndërtuar një shtet të së drejtës, një demokraci funksionale”, u shpreh Rama.
I pyetur për problemet e raportuara në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri, veçanërisht publikimin e bazës së të dhënave personale, Rama hodhi poshtë pretendimin që ato të jenë marrë nga portali e-albania.
Rama theksoi se numri personal i kartës së identitetit që doli nga të dhënat e publikuara nuk “nuk është e dhënë sensitive”.
Kryeministri u justifikua gjithashtu duke thënë se regjistri i gjendjes civile në Shqipëri ka qenë publik në internet prej vitesh.
Sa i përket zgjedhjeve në tërësi, Rama iu referua raportit të OSBE/ODIHR duke thënë se ai ka qenë i qartë “për integritetin e fushatës dhe zgjedhjeve”.