Rama: Rreziku për mosintegrim në BE vjen nga opozita

Rama: Rreziku për mosintegrim në BE vjen nga opozita

Kryeministri Rama bisedoi dje me gazetaren Ilva Tare në emisionin Tonight. Biseda u fokusua tek çështjet kryesore të ditëve të fundit: vendimi i Gjykatës së Strasburgut për prishjen e kompleksit Jon në Vlorë, hapja e negociatave me BE-në dhe protesta e opozitës.

Zoti Rama fajësoi opozitën se po pengon procesin e integrimit të vendit në BE.

Lidhur me prishje e kompleksit Jon, Rama tha se ishte një vendim për të cilin nuk ishte penduar dhe që do ta merrte sërish, po të ishte nevoja.

Disa nga deklaratat kryesore të Kryeministrit Rama janë:

Për hapjen e negociatave me BE-në:

 – Jemi në një situatë kompletë absurde dhe unikale në gjithë historinë e integrimit të Evropës ish-komuniste sepse jemi i vetmi vend që rreziku na vjen nga brenda, nga opozita që nuk është e gatshme të jetë pjesë e këtij procesi.

 – Një opozitë si kjo që proteston për një çështje që në sytë e atyre që do të hapin negociatat me ne është zgjidhur drejt, çfarë mesazhi u çon? Çfarë mesazhi i çon kjo opozitë BE duke protestuar për prokuroren e përgjithshme që është bërë me opinionin profesional të misionit të drejtësisë së BE?

 – Kjo rrezikon të krijojë shqetësim dhe të çojë mesazhin që këtu kemi të bëjmë me një kopësht kalamajsh që nuk e ka maturinë e nevojshme dhe nuk na jep garanci që është një shtet që është gati të ulet në tavolinë për të negociouar anëtarësimin në BE.

Për vendimin e Gjykatës së Strasburgut:

 –  [Prishjen e kompleksit “Jon”] do ta bëja 1000 herë, po të kthehesha 1000 herë. Kemi bërë një shpronësim të ligjshëm dhe ankuesit nuk kanë kontestuar shpronësimin, por shifrën.

 – Nuk jemi dakord me vendimin e gjykatës. Ne si shtet po përgatisim një apelim në një nivel tjetër në Strasburg dhe do të shikojmë konkluzionet.

 – Ajo që ka fituar Vlora dhe ajo që do të fitojë turizmi, ekonomia në Vlorë nuk ka të krahasuar me asnjë lloj diskutimi që bëhet sot.

 – Qytetarëve duhet tu kërkojnë ndjesë ata që i dizinformojnë.Jo ne që kemi bërë punën tonë, ata e dinë shumë mirë që sa herë ka punë publike ka shpronësime me interes publik kur bëhet fjalë për prona me dokumentacion.

Për opozitën:

 – Problemi nuk janë protestat por qasja e kësaj opozite, e kësaj tufe pa kokë, pa drejtim, strategji, ide dhe vizion. Asgjë tjetër përveçse një dëshpërimi të shprehur në formën e një mllefi ekstrem në raport me objektivin historik të hapjes së negociatave.

 – [Për ndryshimet kushtetuese të propozuara, Partia Demokratike] të shkojë të marrë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Europian dhe më pas hajde të ulemi të diskutojmë.

  – Kur vjen puna tek çështjet e drejtësisë asnjë negociatë nuk mund të bëjmë [me opozitën] nëse nuk jemi të harmonizuar me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në sepse pa ta nuk do të bëhej dot reforma.

 – Shqipëria ka partner Shtetet e Bashkuara dhe BE, kjo reformë pa SHBA dhe BE nuk do të ishte kurrë e mundur sepse ishin ato që jua futën të dyja këmbët në një këpucë të gjithë atyre që sot gjuajnë me këpucë dhe kërkojnë të kthejnë përmbys një proces që nuk ndalet më.

Për Saimir Tahirin, Haki Çakon dhe Policinë e Shtetit:

 – Saimir Tahiri ka avokatët e vet dhe unë pres përfundimin e vendimit të drejtësisë. Saimir Tahiri nuk është as pjesë e grupit të Partisë Socialiste dhe është e para herë që një parti bën një ndarje kaq drastike me një figurë kaq të rëndësishme.

 – Është gënjeshtër [që kam refuzuar shkarkimin e Haki Çakos për shkak të marrëdhënies personale me të]. Nuk kam asnjë marrëdhënie me Drejtorin e Përgjitshshëm të Policisë, nuk kam patur kurrë dhe nuk do kem kurrë marrëdhënie me Drejtorat e Përgjithshëm të Policisë.

 – Kapitulli i policisë së shtetit nën qeverisjen time do të kujtohet si kapitulli i modernizimit dhe në fund të këtij mandati do të rankohet në policinë e standardeve të Bashkimit Evropian. Do të thotë se Shqipëria nuk është më hartën e vendeve që kultivon dhe trafikon kanabis.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>