Rama shantazhon me një 2 prill tjetër

Rama shantazhon me një 2 prill tjetër

Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar sot qëndrimin e Bashkisë Shkodër për të mos e lejuar që të zhvillojë një takim elektoral atje “si një përpjekje të Partisë Demokratike për të përsëritur 2 prillin e vitit 1991”.

Teksa bëri një paralelizim me ngjarjet e 28 viteve më parë, Rama mbajti këtë konsideratë në Parlament:

Njësoj si në atë kohë, kjo përpjekje nuk ka as shumicën e shqiptareve dhe asnjë mik nga partnerët e Shqipërisë në krah. Pjesë trishtuese është përdorimi i nëpunësve, i policëve bashkiakë që po humbasin të drejtën që të punojnë për shtetin, janë në shkelje flagrante të ligjeve. Janë në shkelje të ligjeve dhe pse në këtë farsë mund të ndihen të imunizuar nga ligji, jeta vijon edhe pas 30 qershorit. Mbase plani është për të bërë një 2 Prill tjetër sot pasdite, pasi historia ka ndryshuar se asgjë nuk ka ndryshuar në vizion, qasje dhe metodë në kokën e atij që është lideri suprem i PD-së. Ai që është në zyrën e Presidentit po i hedh benzinë zjarrit.

Më 2 prill 1991 gjatë protestave kundër pushtetit komunist në Shkodër, policia vrau katër të rinjtë Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka. Protesta qe organizuar kundër sistemit komunist që kishte mbajtur pushtetin pavarësisht se më 31 mars 1991 u mbajtën zgjedhjet e para pluraliste. Ministër i Brendshëm në atë periudhë ishte Gramoz Ruçi, i cili sot mban postin e kryetarit të Parlamentit.

Kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi i qe përgjigjur me një shkresë zyrtare Kryeministrit Rama se nuk mund të zhvillonte aktivitete për fushatën e tij të 30 qershorit, sepse qyteti nuk kishte sheshe të lira. Ademi argumentonte se aktualisht hapësirat e qytetit janë të zëna nga aktivitete që kanë si qëllim promovimin e turizmit.

Gjithashtu Ademi i pati dërguar letër zyrtare edhe shefit të komisariatit të Shkodrës Lorenc Meta, të cilit i thoshte se “çdo aktivitet politik elektoral që mund të zhvillohet në Shkodër, konsiderohet i palijgshëm dhe për këtë rrjedhojë Bashkia nuk miraton leje për asnjë subject politik”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>