Rama shfrytëzon inatet politike edhe në tragjedi kombëtare

Nga Gerard Gega
Rama shfrytëzon inatet politike edhe në tragjedi kombëtare

Kryeministri Edi Rama, pavarësisht se ishte shprehur se nuk ishte koha për “polemika”, ai shfrytëzoi momentin tragjik që po kalon vendi për të përcjellë ndasitë dhe qëndrimet e tij politike.

Gjatë mbledhjes së qeverisë, Zoti Rama përshëndeti disa udhëheqës shtetesh për angazhimin e treguar në ndihmë të të prekurve nga tërmetet.

Kryeministri Rama falenderoi Presidentin e Kosovës, Serbisë, Turqisë, Francës, Kryeministrin e Italisë, Greqisë, Kroacisë, Rumanisë, Zvicrës, dhe Princin e Arabisë Saudite, por jo Kryeministrin Ramush Haradinaj.

“Duhet të shpreh mirënjohje të pakufijshme për reagimet […] e ambasadave të BE dhe SHBA […] për të na shprehur gatishmërinë. Për presidentin e Kosovës, Kryeministrin e Italisë […] Kryeministrin e Greqisë, i cili përveç të tjerave ka sjellë menjëherë duke devijuar programin, […] Presidentin e Francës, i cili pasi kemi komunikuar disa herë edhe pse është përballur me një fatkeqësi të madhe për Francën, ka vënë në lëvizje Ministrin e Brendshme të Francës, Presidentin e Turqisë që ka komunikuar në fillim gjatë dhe pastaj edhe në mesnatën e ditës së djeshme duke konfimuar vijimësisht gatishmërinë për të bërë gjithçka që është e nevosjhme në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti, kabinetin e Kancelares (Merkel), Presidentin e Serbisë që ka dërguar një mision special, Kryeministrin e Kroacisë […] Rumanisë dhe Zvicrës dhe princin e Kurorës së Arabisë Saudite.”

Gjatë fjalës së tij Kryeministri Rama njohu në veçanti angazhimin e Forcave Speciale të Kosovës, por ai nuk e falenderoi qeverinë e Kosovës dhe Zotin Haradinaj:

“Trupat (e huaja) janë përfshirë në terren dhe kanë marrë lidershipin e operacioneve duke zotëruar një ekspertizë shumë më domethënëse se e jona që janë fillestare në këtë fushë sepse nuk jemi hasur me tërmetet për shumë dekada. Trupat speciale të Kosovës kanë mbërritur të parat dhe kanë shfaqur një kapacitet domethënës në mbështetje të trupave tona.”

Qeveria e drejtuar nga Zoti Haradinaj angazhoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe Komandantin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama me rreth 110 njësi speciale të ndihmonin Shqipërinë në përballimin me tërmetet. Përveç kësaj, Zoti Haradinaj vendosi të ofronte edhe 500 mijë euro si ndihmë financiare.

Kryeministri Rama tregoi ndasi politike edhe ndaj Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kërkesën për shpallje gjendjeje të jashtëzakonshme të të cilit e quajti “shfaqje mistrecllëku”:

“Nuk është koha për polemik. Por nga ana tjetër kemi parë disa shfaqje mistrecllëku në raport me gjendjen e jashtëzakonshme. Të cilat kanë ndikuar një pjesë të opinonit publik, me idera të cuditshme dhe të gabuar. Ne qenkeshim duke e evituar për të mos marrë përsipër përgjegjësitë tona”.

Madje, Kryeminsitri Rama e quajti të gjithë retorikën e opozitës “gam-gam” që sjell ters:

“Nuk është fakt, as ndjesi, por një nevojë për ta thënë. Ka shumë gam gam në këtë vend që sikur ndjell të keqe. Ka shumë gam, gam gam, gam dhe gam gam-istët na kanë përfshirë të gjithëve në gam gam dhe kanë gam gam-osur shpirtin e njerëzve të zakonshëm. Jemi kthyer në skllevër të gam gam-it dhe ky është një moment i artë që të reflektojmë edhe mbi këtë. Jo për të shmangur ato që janë të shkruara gjetkë, kur thonë të vjetrit dhe nuk janë në dorën e robit. Por së paku për të mos harrojmë që detyra jonë nuk është të hyjmë në korin e gam gam-it por të merremi me njerëzit, dhe me nevojat e tyre reale dhe në këtë rast me një plagë shumë të madhe që është në çdo shtëpi”.

Kryeministri sulmoi edhe ish-Kryeministrin Berisha duke thënë se:

“[…] mu kujtua dikush që bënte mitingje në këtë tryezë, mbase mirë që më erdhi në mendje dhe e thashë se na duhet kundra syrit të keq”.

Ndasi dhe sulme të ngjashme politike, Zoti Rama i pati edhe dje ndaj Presidentit Meta. Ai tha se pikërisht ambasadat e sulmuara ditët e fundit janë vënë në gadishmêri për të ndihmuar:

“Ambasadat, që në ditët e fundit i kemi në një shënjestër që na turpëruar të gjithëve, sot që në mëngjes herët në emër të SHBA dhe BE-së na kanë shprehur gatishmërinë e tyre. Më vjen mirë që mund ta them tani, qeveria ka bërë maksimumin, menjëherë në terren të gjithë ministrat. Është surreale që të flasësh më presidentin e Francës përballë një gërmadhe në Durrës, apo të Greqisë kur je përballë një tjetre, apo Italisë”.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>