Rama shfrytëzon tërmetin për të hapur kantiere ndërtimi edhe në Vorë

Nga Redaksia
Rama shfrytëzon tërmetin për të hapur kantiere ndërtimi edhe në Vorë

Kryeministri Rama deklaroi sot se Vora do të rindërtohet nga e para, pasi është dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Duke vizituar qendrën shëndetësore në Vorë, Rama u shpreh:

“Mrekullia vet do të jetë rindërtimi, pasi ka shumë godina për t’u shembur. Do bëjmë një gjë shumë të bukur në Vorë.”

Me sa duket Kryeministri po përfiton nga paniku i shkaktuar tek qytetarët nga tërmeti për të vënë në jetë projektet e tij të planifikuara prej kohësh, por të penguara nga problemet e shpronësimit të banorëve.

Kryeministri Rama ka deklaruar se banorët të cilëve i janë dëmtuar banesat nga tërmeti dhe do të marrin një shtëpi të re, duhet të heqin dorë nga pronësia e tokës ku kanë pasur shtëpitë më parë. Kjo skemë i lehtëson qeverisë të gjitha kostot dhe procedurat për shpronësimet e qytetarëve.

Njësoj si në Vorë, Kryeministri ka planifikuar të bëjë ndërhyrje të thella në Kombinat dhe tek Qytet Studenti dhe po i justifikon këto plane me rindërtimin pas tërmetit.

Kështu, prishjet e disa pallateve e ndërtesave në Kombinat ishin parashikuar në masterplanin Tirana 2030, të miratuar më dhjetor 2016.

Qeveria, në këtë dokument, parashikonte prishjen e katër pallateve në Kombinat, dhe në vend të tyre ndërtimin i një qendre tregtare, godina rezidenciale dhe parkingje, përmes skemës së partneritetit publik privat.

Ky plan, pavarësisht se ishte miratuar, nuk ishte vënë në zbatimin për shkak të problemeve me shpronësimet e banorëve, problem që tashmë me dëmet e tërmetit, mund të shmanget.

Po njësoj edhe tek Qyteti Studenti, godinat e prishura me justifikimin e tërmetit dhe shumë ndërtesa të tjera private ishin parashikuar të prisheshin nga Bashkia, që në vitin 2018.  Ndërhyrjet ishin pezulluar në janar të 2019, për shkak të problemeve me shpronësimet.

Sipas planit të BT, në vend të godinave të prishura do të ndërtohen, godina studentore, hotele, parkingje dhe mensa. Ndërtimet e reja do të bëhen përmes partneritetit publik-privat.

Madje, Kryebashkiaku Veliaj tha, gjatë prishjes së godinës 15, se për ndërhyrjet e reja në QS do të ndiqet e njëjta skemë me PPP njësoj si me shkollat.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>