Rama shpall ‘Dëshmorë të atdheut’ 4 viktimat e 21 janarit, premton drejtësi

Nga Exit News
Rama shpall ‘Dëshmorë të atdheut’ 4 viktimat e 21 janarit, premton drejtësi

10 vjet pas ndarjes nga jeta, Kryeministri Rama i ka dhënë katër të vrarëve gjatë protestave të 21 janarit 2011, titullin ‘Dëshmorë të Atdheut’.

Katër viktimat janë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

Në një pritje në kryeministri të enjten me familjarët e viktimave, Rama u shpreh se ngjarjet e 21 janarit kanë ndikuar në vend, pasi treguan nevojën për transformimin e sistemit të drejtësisë.

Rama tha se reforma në drejtësi dhe vetingu janë ato që do të sjellin drejtësi në vend:

“Vetingu është filtri për të siguruar që drejtësia e re është e pastruar nga metastazat e një kanceri.

Do të jetë faza tjetër, ajo e sistemit të pastruar nga kanceri që do të realizojë atë që njerëzit presin me padurim: goditjen e të gjithë atyre që morën peng drejtësinë për vite të tëra.”

21 janari 2011

Protestat e 21 janarit, gjatë së cilës 4 protestues u vranë nga Garda e Republikës pranë zyrës së Kryeministrit, erdhën pas bërjes publike të një videoje të fshehtë të ish-Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Presidentin aktual Ilir Meta me ish-Ministrin e Ekonomisë Dritan Prifti, gjatë së cilës Meta përpiqej t’i jepte rryshfet Priftit, që ky i fundit t’i jepte koncesione miqve të Metës.

Rama, në atë kohë kryetar i opozitës organizoi protestën e 21 janarit për të kërkuar largimin e qeverisë Berisha-Meta.

Skandali i korrupsionit nuk ndikoi negativisht në të ardhmen politike të Metës: Edi Rama u bashkua në vitin 2013 në koalicion me të dhe formuan qeverinë. Më pas, në vitin 2017, Ilir Meta u bë President.

Drejtësia

Në vitin 2016, pas 5 vitesh nga ngjarja, procesi gjyqësor i “21 Janarit” përfundoi në mënyrë të turpshme: vetëm 4 vjet burg për katër të vrarë nga shteti para godinës së qeverisë.

Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit, i cili dënoi me një vit burg ish-komandantin e gardës Ndrea Prendi dhe me tre vjet burg ish-gardistin Agim Llupo, me akuzën fajtor për vrasjen nga pakujdesia.

Pra, sipas gjykatës, Zoti Prendi dhe Zoti Llupo kanë vrarë tre qytetarë nga pakujdesia.

Prokuroria kishte kërkuar 23 vjet burg për Ndrea Prendin dhe 25 vjet për Agim Llupon, për vrasjen e tre qytetarëve me akuzën e vrasjes me dashje. Ndërsa për viktimën e katërt, prokuroria akoma nuk ka gjetur një fajtor.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>