Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ka bërë shumë për të merituar hapjen e negociatave, por se është Bashkimi Europian që nuk po funksionon siç duhet.
Në një intervistë për AFP-në, kryeministri Rama u shpreh:
“Shqipëria ka bërë më shumë se të gjitha vendet e tjera për hapjen e negociatave.
Është e rëndësishme që Europa të ndryshojë. Është e qartë që në këto çaste ajo po vuan, nuk po funksionon ashtu siç duhet.”
Kryeministri tha se Shqipëria do të vazhdojnë procesin e reformimit jo sepse është e vetjma mënyrë për tu anëtarësuar në BE, por sepse është gjëja më e mirë për vendin:
“Ne nuk mund të qëndrojmë para portës së Europës dhe të përgjërohemi, hapet apo nuk hapet ajo, Shqipëria do të vazhdojë në rrugën e shtetit të së drejtës dhe reformave.
Ne duhet të bëjmë ato gjëra që duhet të bëjmë, cilatdo qofshin vendimet europiane. Kjo është e vetmja rrugë e arsyeshme, për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të këtij vendi.
Ajo do të vazhdojë të bëjë detyrat e saj të shtëpisë, sepse ne nuk i bëjmë për ata, por për veten tonë.”
Gjatë intervistës Rama foli dhe për nismat e fundit të qeverisë për të luftuar krimin dhe korrupsionin, duke sqaruar se qeveria ka miratuar një dekret për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, për të konfiskuar sidomos pasuritë e pajustifikuara dhe ka nisur punën për ligjin që forcon përgjegjësinë kriminale të gjithë industrisë së ndërtimit.