“Më 18 tetor Shqipëria mund të marrë një shpullë nga Bashkimi Europian” – kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në mbledhjen e ministrave të drejtësisë të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Tiranë me temë “Gjithçka për Drejtësinë”.
Gjatë fjalës së tij Rama tha:
“Bëhet fjalë për dy javë që të kemi ndoshta shpullën e radhës dhe duhet të shtrëngojmë duart e të pijmë ndonjë pije së bashku. Është frustuese sepse ne na thuhet që ju duam dhe një ditë do jemi bashkë por që duhet të vazhdoni të përmirësoheni, përmirësoheni, e të përmirësoheni Por ne nuk kemi zgjedhje tjetër.”
Edhe më herët zoti Rama paralajmëroi në një intervistë për Euronews se Shqipërisë mund të mos i hapen negociatat.
Deri më tani vendet skeptike vazhdojnë të jenë Hollanda dhe Franca. Pak ditë më parë kryeministri hollandez deklaroi se Holanda është e shqetësuar për progresin e Shqipërisë dhe ende nuk ka vendosur nëse ky progres është i mjaftueshëm për të hapur negociatat me BE-në. Ndërkohë parlamenti gjerman votoi pro hapjes së negociatave me Shqipërinë në mbledhjen e Këshillit Europian në tetor.
Kryeministri deklaroi se “reforma në drejtësi po jep rezultatet e saj duke nxjerrë jashtë sistemit gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar”. Sipas tij sistemi i drejtësisë ishte foleja e korrupsionit.Ai shtoi se gjithashtu problem vazhdon të mbetet mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese .
Ambasadori i BE Luigi Soreca, pjesmarrrës në këtë takim, deklaroi se pa reformën në drejtësi Shqipërisë do i duheshin vite për të hapur negociatat. Ai deklaroi se sytë e qytetarëve shqiptarë janë drejt ngritjes së Gjykata së Lartë, asaj Kushtetuese, SPAK dhe BKH.
“Jemi dy javë larg nga vendimi për të ardhmen në Shqipëri, pa reformën në drejtësi Shqipëria do duhej të kishte pritur vite për të ardhur në këtë ditë. Reforma ka hedhur themele shumë të rëndësishme të paanshmërisë llogaridhënies, etj.Pritshmëria është e lartë që të kemi Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese funksionale. Qytetarët mezi presin krijimin e BHK dhe SPAK. “