Kryeministri Edi Rama vizitoi hidrocentralin e Vaut të Dejës, për të cilin tha se është ‘zemra e problemit’ të përmbytjeve dhe tha se qeveria e ka menaxhuar në ‘mënyrë perfekte situatën’.
Gjatë gjatë vizitës së tij të dielën, nga Vau i Dejës Rama deklaroi:
“Këtu s’jemi për politikë, por për një hall që është i të gjithëve, përmbytjet. Është fakt që s’kemi probleme si në të shkuarën. Është zemra e problemit këtu dhe menaxhimi që keni bërë deri tani është perfekt. Do iu mundësohet që ta bëni deri në fund këtë menaxhim.”
Në një postim në Facebook Rama shkroi se situata këtë vit ështe menaxhuar më mirë se në 2010 dhe bëri një krahasim në lidhje me këtë:
“Fakti është se me superintensitetin e reshjeve të këtyre ditëve, nuk kemi largqoftë 10 mijë njerëz të larguar nga banesat, mijëra e mijëra krerë bagëti të evaukuuara, po aq banesa e biznese të dëmtuara si në 2010 në Shkodër, ku edhe qyteti u mbush me varka, po kemi një situatë krejt tjetër, me dëme minimale, edhe pse intensiteti i prurjeve të shiut është dy herë më i lartë se në 2010.”
Ai u përgjigj edhe kritikave të kreut të PD Lulzim Basha.
Rama tha se ndjen keqardhje për Bashën “që erdhi përgjumësh në Shkodër dhe foli përçart, duke treguar edhe njëherë karakterin e dobët të lidershipit të kësaj opozite fyejsh që bien pa lidhje, në çdo rast fatkeqësie”.