Kryeministri Edi Rama sqaroi të premten nga Skrapari se si ka ndodhur krisja me presidentin Ilir Meta në Gjirin e Lalëzit.
Rama u shpreh se Meta i ka thënë se “nëse e gjithë flota amerikane do i drejtojë gjylet drejt shtëpisë time, Reforma në Drejtësi nuk do të bëhet”.
Rama tha se qëllimi i tij ishte i patundur që reforma duhej bërë.
Prandaj dhe ndodhi prishja e koalicionit dhe ndarja mes tyre, sipas Ramës.
“Arritëm në pikën që ose Meta do të votonte reformën ose do të prishej koalicioni. Ne nuk bëmë kompromis në dëm të reformës, Meta më ka thënë duke parë detin në Lalëz, e shikon tha, sikur flota e gjashtë amerikane të vij këtu, ti drejtojë tutat tek shtëpia ime, ajo reformë nuk votohet. Unë i thash do e votosh dhe mos shit dëngla lart e poshtë, e mos u hiq sikur je problemi. Ai ku i nxehet gjaku shikon vetëm ushtarë, heronj që ngrihen nga varri”, tha Rama.
Mbrëmjen e se enjtes kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta u përplasën ne distancë duke sulmuar njeri tjetrin. Meta i bëri thirrje Ramës për debat publik, ndërsa Rama tha se Meta ka frikë nga reforma në drejtësi.