Kryeministri Edi Rama pritet të takohet me naftëtarët e Ballshit, të premten në orën 17:00, për të negociuar për pagën e vetme që naftëtarët do të marrin nga shteti.
Takimi pritet të zhvillohet në sallën e Këshillit Bashkiak në Fier.
Pak ditë më parë, naftëtarët ndërprenë grevën e urisë pas 44 ditësh, dhe u ulën në bisedime me kryeministrin Rama.
Pas takimit, kreu i sindikatës së naftëtarëve Sokol Dautaj deklaroi se nga marrëveshja me qeverinë #Rama, naftëtarët do të përfitojnë një rrogë të vetme dhe mund të përfitojnë asistencën sociale që nga janari 2020 e deri më sot.
Po ashtu, Dautaj tha se Rama i ka premtuar dhe gjetjen e një kompanie serioze që nuk do t’i hedhë më në rrugë.
Nga marrëveshja me kryeministrin Rama pritet të marrin një pagë, ende të papërcaktuar, rreth 720 naftëtarë. Ndërsa për pagat e prapambetura për 505 naftëtarë, të fituara me gjyq ndaj kompanisë ARMO, naftëtarët do të vijojnë betejën ligjore.