Rama tallet me punëtorët e ARMO-s në një videokonferencë të “bashkëqeverisjes”

Rama tallet me punëtorët e ARMO-s në një videokonferencë të “bashkëqeverisjes”

Në video-konferencën ndërmjet Kryeministrit Rama, Ministrit Gjiknuri dhe Ahmetaj dhe punonjësve të rafinerisë së ARMO-s, të cilët kërkojnë rrogat e papaguara, Kryeministri Rama iu rikthue refrenit të vjetër “fajin e ka Sali Berisha”.

Sipas deklaratave të kryeministrit dhe të ministrave të tij mbi investimet e pakryera dhe borxhet e krijuara nga kompania IRTC në pronësi të Besnik Sulajt dhe Harry Sergeant, i gjithë problemi i ARMO-s lindi me privatizimin “kriminal” të kryer nga qeveria Berisha, i cili privatizoi edhe nënstacionet elektrike, pompat e ujit dhe zjarrfikëset. Por kryeminsitri nuk sqaroi se si këto dy aksesorë të privatizimit pengojnë rifillimin e punës së rafinerisë.

Përkundrazi ai shpjegoi se ARMO sot, pikërisht si pasojë e privatizimit të kryer në vitin 2008, është në pronësi të bankave dhe jo më të qeverisë. Por qeveria është e impenjuar, përmes shumë aksioneve dhe mbledhjeve të kërkojë një investitor tjetër serioz për të rifilluar punën në rafineri.

Asnjë fjalë, pavarësisht kërkesave të naftëtarëve, për premtimet e pambajtura të çiftit Sulaj — Harry Sergeant, por vetëm për kriminalitetin e veprimeve të Rezart Taçit.

Sipas Ramës, rafineria nuk punon sepse që në fillim ajo është projektuar për të përpunuar prodhimin vendas, por lëndë të parë sot nuk mund të ketë sepse Bankers Petrolium, e cila nxjerr naftë, nuk e furnizon më sepse nuk paguhet për lëndën e parë.

Rama,protestuesve që kërkonin hapjen e një hetimi mbi privatizimin e KESH-it, i “qetësoi” duke i thënë se tani mund të kishin besim tek Prokurorja e Përgjithshme se hetimet nuk do të mbylleshin.

Të dy ministrat i ftuan punonjësit e ARMO-s të plotësonin dosjet për statusin e naftëtarit, duke i premtuar ngritjen e një njësie në ndihmë të tyre.

Në fund, kryeministri i ftoi naftëtarët, që në vend të protestave, herën tjetër të dërgonin një kërkesë në platformën e bashkë-qeverisjes “Shqipëria që Duam”, kështu mund të kishin një tjetër video-konferencë pa qenë nevoja të vinin me këmbë deri në Tiranë.

Mesazhi ishte i qartë: qeveria nuk ka fare të bëjë me ARMO-n, vetëm po kërkon investitorë serioz, ju nuk duhet të protestoni më, dhe nëse me të vërtet doni të protestoni, bëni kërkesë tek platforma e bashëkqeverisjes, që sikurse e provuat funksionon shumë mirë.

Por, për çfarë i hynë në punë naftëtarëve videokonferenca kur ato nuk marrin përgjigje për pyetjet e tyre?

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>