Rama: Të dhënat tona janë shumë ndryshe nga ato që kanë dalë

Nga Exit News
Rama: Të dhënat tona janë shumë ndryshe nga ato që kanë dalë

Kryeministri Edi Rama komentoi sërish të hënën çështjen e të dhënave të PS që janë publikuar në media.

Ai tha nga Pogradeci se të dhënat e PS janë shumë ndryshe nga ato që janë publikuar.

Fillimisht PS pranoi se ata kanë të dhëna qytetarësh, por se nuk i kanë marrë nga portali shtetëror ‘e-albania’.

Kryeministri Rama ka sulmuar dhe presidentin Ilir Meta për këtë temë. Ai tha se në 2009 ka dalë e gjithë baza e gjendjes civile.

“Janë përhapur të dhënat dhe është vënë në rrezik siguria kombëtare. Kush i përhapi të dhënat? I përhapëm ne? Së pari, të dhënat tona janë shumë të ndryshme nga ato që kanë dalë. Po le ta zëmë, i përhapëm ne këto? E para, e dyta nuk e di Ilir Meta qysh prej vitit të largët 2009 kur rreshter Nishani ishte ministër i brendshëm, e gjithë data baza e gjendjes civile ka dalë, deri para 2-3 vitesh blihej. Carlo Bollino bëri një investigim, e bleu”, tha Rama.

Opozita dhe presidenti kanë kërkuar hetim në lidhje me përdorimin e të dhënave, të cilat përfshijnë numër ID dhe të dhëna sensitive sikurse është drejtimi politik.

Por Rama thotë se “patronazhistët nuk i kanë këto të dhëna”.

“Patronazhistët tanë nuk i kanë këto të dhëna siç i nxorën këta. Ku duan të dalin këta?”, tha ai

Ai tha për presidentin Ilir Meta:

“E kishin kapur me një foto me kapuç, dielli shkëlqente, presidenti me kapuç atje. Natyrisht se kur takon subjektet e OFL do vësh dhe kapuç, se ai është i bindur që e kanë kapur patronazhistët. As s’kanë punë fare me të. Patronazhistët nuk kanë kohë për të humbur me Ilir Metën, ia dimë mendimet një për një. E di se çfarë mendon Meta dhe kur nuk flet. Çfarë do zbulojmë ne në atë kokën e madhe të Ilir Metës”.

Rama tha se është “një tentativë për të krijuar konfuzion tek njerëzit, për të krijuar çorodi dhe për të vazhduar të ngrenë alibi për atë që do u ndodhë më 25 prill”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>