Rama thirrje pronarëve të marrin punëtorë nga Bangladeshi: I ke pronto, nuk dinë as shqip

Nga Exit News
Rama thirrje pronarëve të marrin punëtorë nga Bangladeshi: I ke pronto, nuk dinë as shqip

Kryeministri Edi Rama i tha të mërkurën një pronari fasonerie gjatë një vizite që të marrë punëtorë nga Bangladeshi, Afganistani dhe India.

“Me këtë pagë që ke ti këtu i ke të sigurt punëtorët e huajt nga Bangladeshi nga Afganistani, nga India. I ke pronto, nuk dinë as shqip dhe nuk merren me thashetheme. Sa të fillojnë me mësu shqip, fillo ndërroi se i futet krimbi, jo politika, jo demokracia jo më the të thashë”, u shpreh Rama.

Ai foli edhe për ligjin dhe i tha pronarit të fasonerisë:

“Ne kemi kaluar ligjin e ri për të huajt që është shumë i thjeshtë. Nuk ka më fare nga ato procedurat e tmerrshme”.

Kur foli për kushtet në të cilat do të punonin këta punëtorë, Rama së bashku me pronarin thanë se mjafton t’i jepet një vend për të fjetur dhe ushqim.

“Aq më mirë edhe me ushqim”, tha Rama.

Sektori fason është një ndër sektorët që punëson shumë punëtorë në Shqipëri, kryesisht gra.

Kushtet në të cilat ato punojnë janë cilësuar si “skllaëvurese” apo “të punosh si kafshë”.

Nuk ka një sindikatë funksionale në Shqipëri në sektorin fason, kjo e përkeqëson edhe me tepër gjendjen e punëtorëve aty.

Një investigimi Birn, zbuloi se në këtë sektor punojnë dhe të mitur në kushte të këqija dhe me orare të zgjatura.

Por kjo nuk është hera e parë që kryeministri flet me këtë gjuhë. Disa vite më parë në një takim me investitorë të huaj, Rama u bëri thirrje të investojnë në Shqipëri duke thënë: “Ne nuk kemi senat, nuk kemi sindikata, nuk kemi të majtë radikale dhe nuk kemi komikë në parlament”.

Deklarata  e kryeministri ka nxitur reagim të organizatave të cilat mbrojnë të drejtat e punëtorëve.

Organizata Politike dhe Qendra e Vetëvendosjes në Shqipëri kanë dënuar deklaratën e Ramës.

“Në vend që të ndikojë në përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e pagave, kualifikimin e forcës punëtore dhe ndaljen e hemoragjisë së tyre, qeveria e Edi Ramës ka zgjedhur transfuzionin e punëtorëve”, shprehet OP.

Ndërsa deklaratën e cilëson si “skandaloze, raciste, perverse”.

“Punëtorët nga Bangladeshi do të sillen në Shqipëri për t’iu imponuar kushte pune edhe më të robtuara dhe skllavëruese se shqiptarët, duke ndikuar kësisoj që edhe punëtorët vendas të pranojnë përkeqësimin e kushteve të punës”, thuhen ë reagimin e tyre.

Vetëvendosje shprehet se Rama përbuz punëtorët.

“Një gjuhë e tillë përbuzëse, poshtëruese, urrejtëse, ndaj shqipes e punëtorëve shqiptarë, ndaj atyre që duan demokraci e të drejta tregon sa i rrezikuar ndihet regjimi prej tyre, e njëkohësisht sa i rrezikshëm është bërë për ta”, thuhet në reagimin e VV.

Vetëvendosje shprehet se Shqipëria ka nevojë për një qeveri dhe për ligjdhënës të cilët sigurohen që çdo çështje ekonomike dhe politike duhet të vlerësohet edhe nga perspektiva e punëtorëve dhe për garantimin të të drejtave të tyre.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>