Kërkojnë dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë se ndryshe do djegin e shkatërrojnë? Ta harrojnë!
Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama në përgjigje të kërkesës së protestuesve për dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu.
Ai tha se policia e shtetit nuk do të merret peng nga politika e dhunës dhe ndjekësve të tyre, duke theksuar se kushdo që do shkelë ligjin do të përballet me forcën e tij.
“Policia e Shtetit as do merret dot peng, as do lëkundet dot nga politika e vjetër e dhunës e nga dhunuesit e nxitur prej saj! Policia e Shtetit nuk është një polic që vrau e që sot është në duart e drejtësisë dhe kush nuk do të respektojë ligjin do përballet me forcën e ligjit!”
Rama tha se nuk do të lejojnë shkatërrimin e institucioneve dhe pronës publike.
“Ne nuk do të lejojmë askënd që të rrënojë çka është ndërtuar me mund e me punë të madhe dhe Policia e Shtetit është një nga shembujt e ndryshimit, që vazhdon me mundin e shumë njerëzve çdo ditë! Shantazhet dhe dhuna ndaj policisë nuk kanë lidhje as me lirinë as me demokracinë!”