Kryeministri Rama vijoi sot me shkarkimet publike të nëpunësve publike, metodë kjo e nisur që pas fitimi të zgjedhjeve dhe shpalljes së platformës “bashkëqeverisje me qytetarët”.
Gjatë një takimi me të gjithë drejtorët aktualë të Autoritetit Aktual të Ushqimit, Kryeministri Rama deklaroi se ky institucion i “nxin jetën sipërmarrjes”:
“AKU është një problem kombëtar. Një institucion që vë gjoba, i nxin jetën sipërmarrjes, terrorizon dyqane e tregtarë të vegjël dhe që në fund fare nuk përmbush misionin e vet.”
Duke nënkuptuar se AKU i ishte lënë në dorë ish-aletëve LSI e PDIU në Qeverinë Rama 1, Kryeministri Rama i bëri thirrje drejtorëve “që janë emëruar politikisht” që të japin dorëheqjen:
“Drejtorët e AKU që u emëruan politikisht të ikin vetë. AKU është një vatër e mbushur me korrupsion. Vatër ku gjobvënia për qëllime korruptive është standard. Ju e dini shumë mirë për çfarë po flas. Mes jush ka protagonistë të këtij korrupsioni.”
Më parë, Kryeministri Rama ka shkarkuar publikisht, pa asnjë kontroll apo hetim, dhe drejtorët e nënpunësit në sistemin e shëndetësisë dhe zyrat e hipotekave.
Spastrimi i administratës publike është përqëndruar tashmë vetëm në dorën e Kryeministrit: tani nuk ka më as ligj e rregullore, hallka e procese, auditime apo hetime për të shkarkuar nëpunësit publikë. Mbi të gjitha, nëse vërtetë drejtorët, në këtë rast të AKU-së, kanë qenë të korruptuar, asnjë prej tyre nuk do të vihet përpara përgjegjësisë administrative apo penale për shkeljet apo dëmet që i kanë shkaktuar interesit publik.