Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me të rinjtë e Tiranës vendosi në kryefjalën e fjalimit të tij “patronazhistët”.
Ai shpjegoi kuptimin e fjalës “patronazhist”, sipas tij.
“Patronazhisti është shkolla e parë e politikës dhe është një mision që i dërgon ata shtëpi më shtëpi dhe i pyet për problematikat e tyre”, tha Rama.
Ai iu përgjigj edhe presidentit Ilir Meta, i cili ditën e djeshme i cilësoi si “spiunë”.
Rama tha se mesazhi i tij është i qartë: “Patronazhistëve u marrshin të keqen”.
Ndërkohë që PD dhe presidenit Meta kanë kërkuar hetim për vjedhjen e të dhënave, qytetarët kanë shprehur shqetësimin dhe SPAK ka nisur hetimet, Rama mbajti një fjalim me batuta në lidhje me këtë.
“Mesazhi për patronazhistët duke filluar nga Ilir Meta, patronazhistëve t’u merrni të keqen. Edhe mos harroni asnjëherë, patronazhistët ju njohin kush jeni. Ne ju njohim dhe me 25 prill do e shihni kush jemi. Kur votat të numërohen do e kuptoni se përse ne juve ju mundim, do ju mundim. Edi Rama është vetëm patronazhisti më i gjatë. Edhe pjesa tjetër, ana tjetër e medaljes, patronazhistët tanë s’kanë makina të shtrenjta”, tha Rama.
Në media u publikua pak ditë më parë një database të dhënash të Partisë Socialiste, ku ishin të regjistruar të dhënat e qytetarëve.
PS i kishte vendosur të gjithëve nga një “patronazhit” detyra e të cilit sipas këtij dokumenti ishte të evidentonte preferencat partiake të qytetarëve dhe t’i bindte ata për të votuar PS.
Sipas Lapsi.al i cili publikoi databasen, të dhanë janë marrë nga e-albania.
Qeveria e ka mohuar këtë dhe ka thënë se database të tilla përdorin të gjitha partitë. PS thotë se nuk i ka marrë nga e albania të dhënat.
Më herët dhe kryeministri Edi Rama falënderoi ‘patronazhistët”.
PD kërkoi hetim të rastit, po ashtu edhe Presidenti Ilir Meta i ka nisur një letër Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) për të hetuar mbi denoncimin e bërë nga përfaqësuesi i PD-së, Enkelejd Alibeaj në lidhje me përdorimin e të dhënave personale për fushatë elektorale.