Kryeministri Edi Rama do të takojë më 1 mars eurokomisionerin përgjegjës për planin e Investimeve të BE-së në Ballkanin Perendimor, në Bruksel.
“Në 1 mars do të vizitojë Brukselin për planin e investimeve me komisinerin që ka nisur planin”, tha Rama për gazetarët të martën , pa treguar se kë nga komisionerët do të takojë.
Ai u shpreh se qeveria ka “ngritur një ekip të posaçëm, një rrjet konsulentësh të huaj që të ecim përpara me projektet”, për thithjen e granteve nga BE.
BE parashikon të japë 9 miliardë euro në grante për projekte të rëndësishme si transport, energji, mjedis, ekonomi digjitale dhe zhvillimin e sektorit privat.
Plani i Investimeve të BE-së parashikon një rritje të PBB-së së rajonit me 3,6%, sipas komisionerit të Zgjerimit Oliver Varhelyi.
“Unë pres nga udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor të miratojnë planin e veprimti për të zhvilluar një treg të përbashkët rajonal në samitin e Sofies, javën e ardhshme”, tha Varhelyi në një takim online të enjten me ministrat e ekonomisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor, më nëntor 2020.
Komisioneri ka theksuar se se këto investime dhe rritja ekonomike nuk do të mund të arrihet nëse qeveritë nuk zbatojnë reforma thelbësore, në ekonomi, në shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit, reformën në administratën publike, dhe principet demokratike.