Rama, Vuçiç dhe Zaev mblidhen në Shkup për të çuar para projektin e tyre të ‘Mini Shengenit’

Nga Exit News
Rama, Vuçiç dhe Zaev mblidhen në Shkup për të çuar para projektin e tyre të ‘Mini Shengenit’

Të enjten mbahet në Shkup Forumi Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal ku pritet që kryeministri Edi Rama, homologu i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç të firmosin disa marrëveshje për bashkëpunim rajonal në kuadër të nismës së ‘Mini Shengenit’ Ballkanik.

Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja nuk do të marrin pjesë në këtë forum. Kryeministri kosovar, Albin Kurti ka shprehur qëndrimin e qeverisë së Kosovës kundër kësaj nisme.

“Qëndrimet tona për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur ‘Mini Shengen’, tashmë janë të njohura. Kjo iniciativë nuk e ka miratimin tonë”, thotë zyra e kryeministrit të Kosovës për Euronews Albania.

Më herët Kurti është shprehur se “Mini Shengen” nuk ofron një platformë ku të gjitha vendet janë të barabarta. Mali i Zi dhe Bosnja duan të përqendrohen në iniciativa të lidhura ngushtë me integrimin në BE, në vend të atyre rajonale.

Në samitin e Procesit të Berlinit në fillim të korrikut, Rama iu bëri ftesë vendeve të tjera për t’iu bashkuar por shtoi se nuk kanë ndërmend të presin asnjërin.

Punimet e forumit do të nisin në orën 10:00 dhe pritet të përfundojnë në orën 12:30 ku liderët e tre vendeve do të kenë një deklaratë të përbashkët për median.

Në panelin ekonomik do të marrin pjesë edhe Presidentët e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së 3 vendeve.

LEXO  Holanda kthen kishat në qendra votimi

Marrëveshjet që do të firmosen synojnë të krijojnë lehtësira në lëvizjen e njerëzve dhe mallërave ndërmjet Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Gjatë gjashtë samiteve të tyre që nga njoftimi i nismës së ‘Minishengenit’ në Tetor 2019 në Serbi, të tre vendet themeluese kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi gjatë pandemisë së koronavirusit dhe një marrëveshje që u mundëson shqiptarëve dhe serbëve të udhëtojnë me karta identiteti  midis dy vendeve.

Në takimin e së enjtes në Shkup, Rama, Vuçiç dhe Zaev pritet të njoftojnë emrin e ri që do t’i japin nismës së tyre.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme