Kryeministrin Edi Rama do të takohet me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç më 30 tetor. Lajmi u dha nga vetë Zaev, i cili shtoi se me këtë rast do të ftonin edhe Kosovën t’i bashkohet mini-Shengenit, sipas European Western Balkan.
Sipas Zaev, përmirësimi i bashkëpunimit rajonal do të jetë arsyeja e takimit me dy udhëheqësit, të premten e ardhshme.
“Në vendin tim, thuhet se ne nuk i zgjedhim fqinjët tanë, por ata janë të parët që të vijnë në ndihmë. Prandaj, ne presim që Kosova t’i bashkohet nismës rajonale, në mënyrë që sjellja gjithëpërfshirëse të jetë një përparësi për rajonin, pavarësisht nga çështjet e hapura politike”, tha Zaev.
Zaev shtoi se zbatimi i katër të drejtave – lëvizja e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit – përmes nismës është në interes të të gjithë rajonit dhe kjo do të mundësojë integrimin e saj më të shpejtë në Bashkimin Evropian.
“Ne presim që Kosova të bashkohet në nismën e bashkëpunimit rajonal të udhëhequr nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia. Të premten e ardhshme, unë do të kem një takim me Presidentin Vuçiç dhe Kryeministrin Rama, një nga temat do të jetë dërgimi i një ftese të përbashkët për Kosovën ”, përfundoi Zaev.