Kryeministri Rama i ftuar në Ora News ka zbuluar diçka nga takimi i Këshillit të Sigurisë. Ai tha se në Këshillin e Sigurisë ka pasur “një shkëmbim shumë pozitiv konstruktiv, pa asnjë rezervë dhe një sens dëgjimi dhe mirëkuptimi pavarësisht se nuk kemi qënë dakord me të gjitha. Edhe me kryetarin e PD-së kemi dëgjuar me kujdes njëri-tjetrin. Sikur toni dhe gadishmëria të ishte çdo ditë si në atë takim politika sot do të ishte shumë më pak interesante për atë që e shohin si një humbje kohe skandaloze”.
Rama tha se i ka kërkuar opozitës të bashkëpunojnë, të mos ketë luftë politike gjatë kësaj kohe sepse “kjo është luftë dhe në luftë lihen armët dhe bashkohen të gjitha forcat me një qëllim mbrojtja e jetës së njerëzve dhe fitorja me sa më pak viktima ata që vetquhen opozitë të mos heqin dorë nga puna e tyre, të ngrejnë shqetësime”.
Kryeministri, gjithashtu tha se i ka kërkuar opozitës që “përpara se të ngrihen në publik ato duhen filtruara përmes informacionit”:
“Kam thënë që ne jemi gati t’i japim informacion para se ta ndajnë me piblikun. Ti dëgjojnë shpjegimet tona dhe më pas, nëse nuk i mbushet mendja, t’i ndajnë me publikun që të shmangin shfaqjet të cilat në kohë paqeje janë të padenja ndërsa në kohë lufte janë të dënueshme moralisht”.