Ramush Haradinaj — hero dhe viktimë

Nga Ermal Mulosmani
Ramush Haradinaj — hero dhe viktimë

Pas Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, UNMIK-ut dhe EULEX-it, radha i erdhi Gjykatës Speciale. Ironia është se këtë radhë viktimat e mundshme të Gjykatës janë  themeluesit e saj.

PDK-ja, partia që e kërkoi me insistim dhe e miratoi themelimin e kësaj gjykate, ka në mesin e saj bash më të përfolurit si të rrezikuar nga krijimi i saj.

Atëherë, çfarë e shtyu Hashim Thaçin, në gusht të 2015-ës, të kërkonte themelimin e kësaj gjykate? A nuk ishte Hashim Thaçi një ndër të akuzuarit kryesorë të raportit të Dick Martit të vitit 2011?

A nuk deklaroi atëherë ai se ”nëse zoti Marti nuk sjell prova të forta për përfshirjen time atëherë e pret një akuzë e fortë penale”?

EULEX-i  pohoi se nuk ka gjetur dëshmi që mbështesin ekzistencën e “shtëpisë së verdhë” dhe tregtinë e organeve, një ndër akuzat më të rënda të artikuluara ndaj Hashim Thaçit.

Kur u njoh me këto përfundime të EULEX-it, prokurorja e Hagës Carla del Ponte u shpreh: “Nuk është ndonjë gjë sensacionale që hetuesit nuk kanë gjetur gjë—Kosova është fëmija e dashur e SHBA-ve”.

Ndërsa kur Dick Marti u pyet në një konferencë shtypi se “ku janë dëshmitë që vërtetojnë akuzat tuaja” u përgjigj: “Do t’i gjejmë ato”.

Hashim Thaçi nuk e përmendi asnjëherë tjetër akuzën penale ndaj Zotit Marti. Përkundrazi, katër vjet më vonë, me nismën e tij, themeloi Gjykatën Speciale e cil do i hetojë dhe gjykojë pikërisht akuzat e Martit.

Çfarë ndodhi ndërkohë që zoti Thaçi u bë kaq bashkëpunues dhe i harroi akuzat penale ndaj Martit?

Mendoj se përgjigjen e kësaj pyetjeje mund ta gjejmë në fjalët e mësipërme të Carla Del Pontes. Ajo e akuzoi EULEX-in si të paaftë për të gjetur prova ndaj Hashim Thaçit, pasi ky i fundit ishte i përkëdheluri i Amerikës. Këtu gjen shpjegimin edhe vullneti politik i Thaçit për ta pranuar Gjykatën Speciale.

Në drejtësi njihen ‘dëshmitarët e mbrojtur’—ata që bashkëpunojnë me drejtësinë për dënimin e bashkëpunëtorëve apo anëtarëve të grupit në shkëmbim të përfitimeve personale.

***

Ramush Haradinaj, për herë të pare,  m’u duk si njëri prej nesh. Kishte emocione, lot, dramë, dhe ndoshta edhe frikë.

Zëri që i dridhej dhe mospranimi i lotëve, kur dikush ia përmendi, veç ia shtoi njerzillëkun. Ai deklaroi se Gjykata Speciale e ngritur me vullnetin e Kuvendit të Kosovës e ka kërkuar për ta pyetur.

Sigurisht, Ramushi mund të shkonte edhe si kryeministër në Hagë, ku është selia e gjykatës. Por, siç shpjegoi ai, paraqitja si kryeministër dhe njëkohësisht si i dyshuar për krime lufte i bën dëm Kosovës.

Kishte të drejtë. Një Kryeministër i dyshuar nuk i bën nder vendit të tij.

Ramush Haradinaj nuk ka qenë kryeministër i mirë. Duke qenë kryeministër i pafuqishëm, si pasojë e numrit të vogël te deputetëve të partisëmsë tij, ai i shfaqi botërisht dobësitë e veta.

Së pari, u detyrua të hiqte dorë nga pretendimi i njohur i tij për 8 mijë hektarët në vijën ndarëse të kufirit me Malin e Zi.

Ramushi ishte flamurtari i moslejimit të kësaj “shitjeje” të atdheut, por pasi u bë kryeministër u detyrua të mbronte në parlament bash të kundërtën. Skena patetike ku ai i hidhte hartat Murat Mehja-s në komision parlamentar i përkisnin të shkuarës.

Ramushi nuk njihej më. Një ditë të bukur Hashim Thaçi në mënyrë spektakolare arrestoi gjashtë mësues turq të akuzuar si mbështetës të Gulenit, të cilët ja çoi “pako postale” mikut të tij autoritar Erdogan.

Kryeministri, për turpin e tij, deklaron: “Nuk kam ditur gjë për operacionin”.

Erdogani e quajti “pijanec”!

Ndërkohë, 90 zëvendës ministrat e Kosovës e kthyen qesharake qeverinë e zotit Haradinaj. Përfoljet për korrupsion dhe izolimi ndërkombëtar ishin pika të tjera të dobëta.

Ramushi ishte tejet i kujdesshëm në etiketimet dhe polemikat me Presidentin Thaçidhe anëtarë të tjerë të koalicionit që e mbante në pushtet dhe dukej si vasal i tyre.

Përkundrazi, Presidenti shfaqej arrogant dhe shpërfillës.

Mirëpo, Ramushi arriti të bëhej faktor i rëndësishëm në planin ndërkombëtar. Siç duket në anën e gabuar.

Një lobim serb që e pengoi Kosovën për tu futur në INTERPOL, përkundër pranimit të Kiribatit dhe Vanuatu-së (dy shtete që nuk e dija se ekzistonin,) ngriti një stuhi polemikash në Kosovë.

Propozimi i Kadri Veselit dhe Enver Hoxhajt për një taksë të re ndaj improteve serbe në Kosovë gjeti përkrahjen e pakompromis të zotit Haradinaj. Në kulmin e negociatave Serbi-Kosovë, të kryesuara nga Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç, taksa 100 për qind për produktet serbe ishte një goditje e fortë.

Hashim Thaçi po eklipsohej politikisht. Teoria e tij e shkëmbimit të territoreve, në shkëmbim të një marreveshjeje përfundimtare me Serbinë, sapo kishte marrë një goditje të fortë.

Këtu është edhe pika e kthesës.

Ramushi i gjetur papritur në qendër të ciklonit politik të drejtuar nga Thaçi në aleancë të plotë me Vuçiçin, Mogherinin dhe Edi Ramën, befas i pëlqeu pozita e protagonistit…

Por siç thotë një fjalë, i kishte bërë hesapet pa hanxhinë…

Hakmarrja është një gjellë që shërbehet e ftohtë.

Kryeministri i Shqipërisë zgjodhi të ishte në Marmaris, në kështjellën verore të sulltanit Erdogan kur doli lajmi i dorëheqjes. Me gjasë, porositi një masazh të gjatë pas lajmit…

Ndërsa zoti Thaçi me një postim fyes në rrjetet sociale deklaroi “mbështetjen” për Bislim Zyrapin, por edhe për një luftëtar tjetër, njëfarë Ramushi…

Ambasadori i SHBA-ve dhe ai i BE-së akoma nuk e kanë komentuar lajmin…

Asnjë përpjekje për ta fshehur kënaqësinë!

                  

Ky artikull u botua fillimisht në Gazetën Express.

The post Ramush Haradinaj — hero dhe viktimë appeared first on https://www.gazetaexpress.com/ramushi-hero-dhe-viktime/

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>