Pse u vlerësua keq Universiteti i Tiranës në vlerësimin e akreditimit

Pse u vlerësua keq Universiteti i Tiranës në vlerësimin e akreditimit

Më 21 shtator, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL, më parë APAAL) vendosi të zgjasë akreditimin e Universitetit të Tiranës për vetëm një vit (nga një maksimum i mundshëm prej gjashtë vitesh). Vendimi u bazua në raportin për akreditimit të hartuar nga kompania e akreditimit në Mbretërinë e Bashkuar  “Quality Assurance Agency” (QAA).

Duke pasur parasysh se Universiteti i Tiranës është institucioni më i madh i arsimit publik në Shqipëri, me 15,500 studentë në nivelin Bachelor 3 vjeçar dhe 7,600 studentë në nivelin Master vetëm për vitin shkollor 2016-17, lajmi shkaktoi trazira e debat në opinionin publik.

Rektori aktual i UT Mynyr Koni, fajësoi publikisht paraardhësin e tij Dhori Kule për gjendjen e dëshpëruar të universitetit. Zoti Kule, aktualisht dekan i Fakultetit të Ekonomisë, deklaroi se raporti nuk përfshinte “akreditimin e standardeve dhe cilësisë akademike”. Ndërkohë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, e drejtuar nga Lindita Nikolla refuzoi të vinte në dispozicion të studentëve të shqetësuar apo publikut,  raportet e akreditimit.

Pas kërkesës për informacion, Universiteti i Tiranës i ka dërguar redaksisë së Exit.al një kopje të raportit të akreditimit hartuar nga QAA dhe APAAL, në të cilin është bazuar vendimi për akreditimin vetëm me një vit të UT-së.

Raporti flet për pesë “Fusha vlerësimi: 1) Organizata dhe menaxhimi i saj; 2) Burimet; 3)Kurrikula mësimore; 4)Mësimdhënia, Vlerësimi dhe Hulumtimi dhe 5) Studentët dhe mbështetja ndaj tyre.

“Të pesë fushat janë gjykuar bazuar në Standardet Shtetërore të Cilësisë të përcaktuara nga qeveria shqiptare dhe gjykohen me këto nivele:” Standardet Shtetërore të Cilësisë përmbushen / përmbushen thelbësisht / përmbushen pjesërisht / nuk përmbushen “.

Sipas raportit, Universiteti i Tiranës nuk përmbushte plotësisht standartet në asnjë prej pesë fushave që merren në vëzhgim. Në tri prej fushave, standardet përmbushen terësisht, ndërsa në dy fusha të tjera përmbushen pjesërisht.

Vendimi i ekipit të akreditimit është si vijon: “Rekomanduesit i rekomandojnë Këshillit të Akreditimit që në Universitetin e Tiranës Standardet e Cilësisë të Shtetit janë përmbushur pjesërisht.”

1. Organizimi dhe Menaxhimi

Sipas raportit të akreditimit, standardet për Organizimin dhe Menaxhimin ishin përmbushur vetëm pjesërisht. Nuk ekziston një “deklaratë e qartë e misionit dhe objektivave të Universitetit në Statutin e vitit 2009” dhe ka një vonesë në përshtatjen e tyre me reformën e arsimit të lartë në vitin 2015. Universitetit gjithashtu i mungon një “strategji zhvillimi” dhe asnjë raport vjetor për vitin 2016 nuk është dorëzuar në Ministrinë e Arsimit.

2. Burimet

Këto standarde përmbusheshin në mënyrë domethënëse, pra në nivel të lartë. Nuk ka “qasje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe të dokumentuar për vlerësimin periodik të performancës dhe aftësisë së stafit”, që do të thotë që profesorët dhe personeli tjetër nuk vlerësohen në mënyrë sistematike. Një tjetër pikë e dobët është faqja e internetit e universitetit, e cila nuk është “e përditësuar vazhdimisht” ose “dygjuhësore” (shqip / anglisht).

3. Kurrikula mësimore

Standardet për kurrikulën u përmbushën në nivel të lartë. Ekipi i akreditimit vëren “lëvizjen e ulët të studentëve”, domethënë që është e vështirë për studentët të kalojnë nga një program apo fakultet në tjetrin.

4. Mësimdhënia, Vlerësimi dhe Hulumtimi

Edhe pse ish-rektori Kule pohoi se “standardet akademike dhe cilësia” nuk janë shqyrtuar nga ekipi i akreditimit, në raport shkruhet se standardet për këtë kategori janë përmbushur pjesërisht. Praktika e vlerësimit me nota është arbitrare dhe universiteti nuk ka një “politikë formale për plagjiaturën apo sjellje të tjera akademike”, gjë që sjell ankesat e studentëve, që në shumë raste detyrohen të blejnë përkthimet e pedagogëve, botuar në libra. Për më tepër, universiteti nuk kishte “politikë të dokumentuar të Universitetit mbi sigurimin e cilësisë së programeve studimore” dhe “strategji formale kërkimore për prioritetet institucionale kërkimore”.

5. Studentët dhe mbështetja ndaj tyre

Në këtë fushë, standardet u përmbushën në mënyrë domethënëse. Por UT nuk arrin të sigurojë qasje të mjaftueshme për studentët tek tekstet dhe materialet online. Rreshtat e gjatë tek libraritë pranë universiteteve janë një dëshmi për këtë gjë. Raporti vë re se studentët kanë pak akses në “libra të bibliotekës dhe burime online”.

Në përgjithësi vlerësimi i dobët i Universitetit të Tiranës pasqyron strategjinë grabitqare të ndjekur nga Ministria e Arsimit nën drejtimin e Lindita Nikollës, e cila vazhdimisht ka ngritur tarifat e universitetit publik, duke lejuar universitetet private të konkurrojnë për grante qeveritare dhe studentë të shkëlqyer. Rezultatet e kësaj “reforme të arsimit të lartë” do të dobësojnë më tej sistemin e shtrenjtuar tashmë të arsimit publik të Shqipërisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>