Amnesty International ka publikuar raportin vjetor mbi respektimin e të drejtave të njeriut në 160 vende të botës për vitin 2015.
Problemet kryesore të të drejtave të njeriut në Shqipëri, sipas raportit, janë mungesa e pavarësisë së mediave dhe dhunës ndaj gazetarëve, mungesa e mbrojtjes ndaj dhunës në familje, kërkesat e larta për azil në BE dhe strehimi i komuniteteve romë dhe egjiptian.
Më poshtë janë pikat kryesore të raportit për Shqipërinë:
- Pavarësia e mediave është e kompromentuar nga vetë-çensura, presioni i qeverisë dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, të cilëve nuk u sigurohet mbrojtja e duhur.
- Shumë gazetarë kanë kërkuar azil në vendet e BE-së dhe Norvegji, për shkak se Shqipëria nuk është në gjendje t’i mbrojë.
- Ka numër të lartë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe vajzave.
- Në muajt e parë të 2015, u raportuan rreth 1 700 raste të dhunës në familje dhe 993 kërkesa për urdhër mbrojtje.
- Në janar-gusht 2015 vetëm në gjykatën e Tiranës u paraqitën 406 padi për abuzim në familje, por 62 për qind e tyre janë tërhequr nga paditësit si pasojë e presionit të abuzuesve apo familjarëve.
- Në korrik, 70 familjeve në Tiranë, kryesisht rome, ju shkatërruan shtëpitë duke i lënë të pastrehë.
- Autoritetet nuk kanë bërë asnjë përparim në vënien para drejtësisë të përgjegjësve për zhdukjen e Remzi Hoxhës dhe në gjetjen e eshtrave të tij.
- Ish drejtori i policisë së shtetit Hysni Burgaj, zëvendësi i tij Agron Kuliçaj dhe personat e tjerë përgjegjës për vrasjet e 21 janarit 2011 janë ende të pandëshkuar.
- Në rajonet e policisë keqtrajtohen të dyshuarit dhe personeli mjeksor dhe policor kanë dështuar në detyrën e tyre për të raportuar incidente të tilla.
- Ka mbipopullim dhe kushte të papërshtatshme jetese dhe shëndetësore në vendet e ndalimit.
- Si pasojë e gjëndjes së rënduar ekonomike, mijëra shqiptarë aplikuan për azil në vendet e BE, duke përfshirë 54,762 në Gjermani, e cila ka refuzuar 99 për qëind të këtyre kërkesave.