Raporti i anti-mafias italiane, bandat shqiptare dominojnë tregun e drogës në Itali

Raporti i anti-mafias italiane, bandat shqiptare dominojnë tregun e drogës në Itali

Grupet kriminale shqiptare, përveç tregut të kanabisit, vitet e fundit po dominojnë dhe rajone të caktuara të trafikut të kokainës dhe heroinës në Itali.

Kështu shkruan gazetarja Lindita Çela në një artikull për BIRN, ku citon raportin e Drejtorisë Hetimore Anti-Mafia në Itali, DIA.

Në ndryshim nga raportet paraardhëse, ai i vitit 2017-të përfshin një kapitull më vete për kriminalitetin shqiptar. Organizatat kriminale shqiptare tashmë drejtojnë trafikun e kokainës e heroinës, ndërsa më parë kanë qenë të përfshira në trafikun e kanabisit dhe kontrollin e prostitucionit.

Disa nga pjesët kryesore të artikullit janë:

Sipas raportit të fundit për parlamentin italian të Drejtorisë Hetimore Anti-Mafia në Itali, DIA, grupet kriminale shqiptare kanë krijuar aleanca me organizatat mafioze italiane, duke dominuar në rajone të caktuara trafikun kokainës dhe heroinës, biznes ky që deri para pak vitesh ishte ekskluzivitet i organizatës mafioze ‘Ndragheta.’

Për herë të parë, raporti e ka cilësuar krimin e organizuar shqiptar si një ndër organizatat e huaja kriminale që kanë një shtrirje në të gjithë gadishullin Apenin:

“Kriminaliteti shqiptar është organizata e huaj më e shtrirë në nivel kombëtar, më një aftësi të lartë ripërtëritëse të ushtarëve dhe bazave operative.”

Harta e krimit shqiptar në Itali

Në 21 Mars 2017, ‘Carabinieria’ italiane përmbylli operacionin policor ‘Il Moro’, duke arrestuar 11 të dyshuar në Firenze, pjesë të një organizate të përfshirë në trafikun e narkotikëve midis Shqipërisë dhe Italisë.

Nëntë nga të arrestuarit ishin shqiptarë, të dyshuar si pjesë e klanit ‘Kasa’,  që sipas DIA-s udhëhiqej nga vëllezërit Shkëlzen dhe Kastriot Kasa.

Prokurorët italianë dyshojnë se kjo organizatë drejtonte trafikun e kokainës në një zonë që dominohej nga Camorra – organizata famëkeqe kriminale, e njohur gjithashtu si mafia napolitane.

Vetëm për 6 mujorin e parë të vitit 2017, nga Departamenti i Hetimit të Anti-Mafias në Itali janë  arrestuar 159 shtetas shqiptarë, të cilët hetuesit i cilësojnë si anëtarë të organizatave kriminale shqiptare.

Raporti sqaron:

“Organizatat  shqiptare karakterizohen nga një strukturë organizative në formën e “klani”. Ata kanë një natyrë të dhunshme dhe lëvizshmëri të lartë në territor, gjë që u ka lejuar  ta zgjerojnë në mënyrë progresive fushën e interesave kriminalë.”

Trafiku i kokainës dhe heroinës në disa rajone të Italisë, sipas raportit, është tashmë i dominuar nga  grupet kriminale shqiptare.

Rajoni i Pulias dhe qyteti  Firences identifikohen si zona ku aleancat mes organizative kriminale shqiptare dhe Italiane janë të forta:

“Kanë lindur aleanca historike me organizatat mafioze italiane. Në këtë drejtim, marrëdhënia midis klaneve shqiptare dhe kriminalitetit të ‘Pulias’ meriton të përmendet veçmas.”

Lufta mes bandave

Sipas raportit, grupet mafioze shqiptarë kanë nën kontroll Qytetin e Tranit në rajonin e Foxhias.

“Qyteti i Tranit vazhdon të jetojë një fazë të paqëndrueshmërisë kriminale. Është  një qendër nervore për furnizimin e lëndëve narkotike  që vijnë nga Shqipëria. Në këtë territor grupi Cantino është në luftë me shqiptarët. Nuk është rastësi që numri i madh i grupeve shqiptare që veprojnë në Foxhia është dëshmi se si e gjithë provinca është bërë një nga nyjet themelore të trafikut kombëtar të drogës.”

Qyteti i San Severos është një tjetër zonë ku sipas raportit grupet shqiptare janë shumë aktive.

Qyteti është si një udhëkryq për furnizimin e armëve dhe drogës për të gjithë vendin, ku aleancat mes krimit të organizuar shqiptar dhe mafies vendëse mund të ketë pasoja në të gjithë krahinën.

Karteli Ballkanik

Rruga ballkanike, sipas hetuesve italianë mbetet korridori kryesor i furnizimit të tregut evropian me lëndë narkotike, të tipit heroinë e ardhur nga Afganistani.

“Futja e këtyre  produkteve në Evropë, nëpërmjet Austrisë, Gjermanisë dhe Italisë, është një monopol i partneriteteve kosovaro-boshnjako-shqiptare. Ai që zakonisht quhet ‘karteli ballkanik’ është një organizatë kriminale moderne dhe dinamike, e përbërë nga grupe më të vogla të quajtura ‘qeliza kriminale’.

Këto grupe përdorin brigjet shqiptare si një ndalesë në menaxhimin e fluksit dhe rishpërndarjen e drogës që vjen nga Afganistani.”

Sipas hetuesve italianë, territori i Shqipërisë  është gjithashtu një zonë e privilegjuar për të investuar kapitalin e paligjshëm për organizatat kriminale:

“Grupet e njëjta do të ishin në gjendje të kapitalizonin të ardhurat e paligjshme që rrjedhin nga aktivitetet e përshkruara më sipër, duke i riinvestuar ato në Shqipëri në aktivitete si pasuri të patundshme dhe veprimtari  komerciale.”

Rritja e përmasave të kriminalitetit shqiptar ishte në fokus të bisedimeve që Prokurori Kombëtar i Anti-Mafias në Itali, z.Federico Cafiero De Raho, pati me Kryeprokuroren e Përkohshme Arta Marku dhe Ministrin e Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj, gjatë vizitës së tij në Tiranë më 26 shkurt 2016.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>