“Shqipëria është vendi i origjinës së shumicës së sasive të marijuanës që kanë si destinacion tregjet italiane dhe evropiane. Përveç marijuanës, bandat shqiptare luajnë një rol kyç dhe në trafikimin e kokainës në Itali.”
Kështu raporton Drejtoria Qendrore për Shërbimet e Antidrogës në Itali e cila sapo ka publikuar “Raportin Vjetor” në lidhje me vitin 2017.
Disa nga përfundimet kryesore të raportit lidhur me Shqipërinë janë:
- Importet e marijuanës në Itali janë rritur ndjeshëm duke arritur në vitin 2017 në një rekord të konfiskimeve, mbi 90 ton nga rreth 41 tonë që ishin në vitin 2016.
- Trendi i konfiskimeve në Itali, lidhet me kultivimin e marijuanës në Shqipëri.
- Shqiptarët zënë vendin e parë në rrjetet kriminale të huaja të narkotrafikut të përfshirë në trafikun e drogës me 25 nga 94 gjithsej. Pas tyre vijnë rrjetet nga Gambia dhe Maroku.
- Klanet shqiptare kanë treguar se kanë një aftësi në rritje të menaxhimit në kultivimin e marijuanës dhe trafikimit të saj.
- Klanet shqiptare po përdorin çdo vit e më tepër bimë me rendiment të lartë dhe metoda gjithnjë e më të larmishme të fshehjes, kultivimit dhe transportimit në brigjet italiane.
- Grupet e krimit shqiptar konkurrojnë me organizata të tjera kriminale për kontrollin e pjesëve të rrugëve të trafikimit që arrijnë në Itali, si dhe për menaxhimin e rrjeteve të shpërndarjes së drogës.
- Shumica e drogave të konfiskuara, afërsisht 95% u kapën jashtë vijës bregdetare, në ujërat territoriale dhe përgjatë kufijve detarë.
- Në zonat kufitare, lidhur me trafikun e marijuanës shënohet edhe numri më i madh i shqiptarëve të arrestuar, 41 persona nga 93 të huaj të ndaluar në kufijtë italianë përgjatë vitit 2017 me ngarkesa marijuane.
- Së bashku me ‘Ndrangheta’ në Kalabri, e cila […] ka ende një rol kyç në trafikimin e kokainës në Itali, gjatë vitit 2017, dolën në pah, disa grupe të ashpra të krimit të huaj, të përbërë nga shtetas marokene, nigerianë dhe shqiptarë.
- Këta të fundit, si dëshmi e një hopi cilësor në aftësitë e tyre operative, konkurrojnë me grupimet e tjera kriminale, kontrollin e segmenteve të rrugëve të trafikut në Itali dhe drejtimin e rrjeteve të shpërndarjes në territorin kombëtar të substancave kryesore narkotike.
- Shtetasit shqiptarë vijnë të dytët në personat e huaj të arrestuar për trafik dhe shpërndarje të kokainës, me rreth 1.100 persona të arrestuar.