Raporti i ashpër i PE-së për Shqipërinë: Pikat kryesore — Exit shpjegon

Raporti i ashpër i PE-së për Shqipërinë: Pikat kryesore — Exit shpjegon

Më 29 nëntor 2018, Parlamenti Europian miratoi Raportin e Përparimit të Shqipërisë 2018 përgatitur nga Komisioni Europian që në maj të vitit 2018. Raporti fillestar i Komisionit kishte rekomanduar hapjen e negociatave me Shqipërinë, por Këshilli Europian—mbledhja e krerëve të qeverive të BE-së—vendosi kundër këtij rekomandimi, në takimin e tij të qershorit, 2018, duke e shtyrë vendimin për në qershor 2019.

Raporti i Komisionit iu paraqit Parlamentit Europian me përditësimet dhe përmirësimet e përgatitura nga raportuesi i PE-së për Shqipërinë Knut Fleckenstein, por pas diskutimeve të gjata nga eurodeputetët, raporti i miratuar u ndryshua thelbësisht.

Amendimet dëshmojnë se jo vetëm Parlamenti Evropian është shumë më kritik ndaj gjendjes në Shqipëri se Komisioni Europian dhe raportuesi Fleckenstein, por ato janë tregues se vendimi për hapjen e negociatave vitin e ardhshëm do të kërkojë më shumë se sa thjesht plotësimin e e “pesë prioriteteve kryesore plus reformën zgjedhore”.

Pas një leximi të imtësishëm të raportit përfundimtar dhe veçanërisht të ndryshimeve të bëra nga PE-ja, kuptohet se është rritur trysnia mbi qeverinë shqiptare duke vendosur kushte të reja përtej përmbushjes së pesë prioriteteve kyçe, dhe gjasat që negociatat të hapen në qershor 2019 janë të pakta.

Ndër të tjera, PE thekson se “vendimi për hapjen e bisedimeve me BE-në do të varet nga përparimi i mëtejshëm i Shqipërisë në procesin e reformave dhe i bën thirrje Këshillit Europian të vlerësojë objektivisht dhe në mënyrë të drejtë përparimin  e arritur nga vendi”.

Më poshtë Exit.al ka përmbledhur kushtet që raporti ka parashtruar ndaj Shqipërisë me qëllim përparimin e saj për të mundësuar hapjen e negociatave.

Për reformën në drejtësi

— PE u kërkon autoriteteve shqiptare të përfundojnë sa më parë krijimin e organeve të reja gjyqësore dhe të rikthejë në gjendje funksionale Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.

— PE konsideron se përgatitja e brezit të ardhshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve është edhe më e rëndësishme dhe, për këtë arsye, shpreh keqardhjen për faktin se partitë politike në Shqipëri deri tani nuk kanë arritur një marrëveshje mbi ndryshimet e nevojshme në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj;

— PE inkurajon qeverinë t’i ofrojë vazhdimisht institucioneve të vetingut burime të mjaftueshme financiare dhe njerëzore;

— PE thekson rëndësinë që procesi i vetingut të zbatohet në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare, dhe e inkurajon Shqipërinë të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit.

Për reformën zgjedhore

— PE kërkon miratimin e reformës zgjedhore dhe rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2019.

Për luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe drogës:

— PE i kërkon autoriteteve shqiptare të ndërmarrin aksione për  shkatërrimin e rrjeteve kriminale të përfshira në trafikimin e qënieve njerëzore, armëve dhe drogës, si dhe të rrisë numrin e hetimeve dhe dënimeve përfundimtare, në veçanti për drejtuesit e  grupeve kriminale.

— PE bën thirrje për përpjekje shtesë për të reduktuar korrupsionin që ndikon në jetën e përditshme të qytetarëve të Shqipërisë, për të përmirësuar klimën e investimeve dhe për të garantuar sigurinë ligjore të investimeve;

— PE nënvizon se zyrtarët e nivelit të lartë nuk duhet të përfitojnë nga trajtimi preferencial në krahasim me qytetarët e zakonshëm, nëse ata janë nën akuza.

Për largimin nga politika të personave me të shkaur kriminale

— PE i bën thirrje partive politike të përmbushin detyrimin për të përjashtuar kriminelët nga të gjitha zyrat publike në të gjitha nivelet e qeverisë apo të autoriteteve të tjera.

Për zhvillimin ekonomik

— PE i bën thirrje autoriteteve shqiptare të rishikojnë rolin e partneriteteve publike-private dhe ndikimin e tyre në pasuritë e përbashkëta dhe të mirat publike, si autostradat, shëndeti, natyra dhe trashëgimia kulturore, në përputhje me detyrimet e UNESCO-s.

— PE bën thirrje për rritje të vëmendjes ndaj korrupsionit politik dhe atij të pëfshirë në partneritet publike private, si dhe kërkon forcimin e hetimeve dhe dënimin përfundimtar të zyrtarëve të përfshirë në raste korrupsioni dhe të krimit të organizuar.

Për uljen e numrit të emigrantëve

— PE shpreh shqetësim të thellë për faktin se Shqipëria mbetet vendi i Ballkanit Perëndimor me numrin më të lartë të hyrjeve të paligjshme dhe të kërkesave të pabaza të azilkërkuesve në vendet e BE-së, dhe i kërkon autoriteteve masa për të parandaluar aplikimet e shumta për azil.

— PE i rekomandon qeverisë të marrë masa konkrete për të rritur punësimin, në veçanti atë të rinjve, për të përmirësuar arsimin, kushtet e jetesës dhe shëndetësinë.

Për të drejtën e pronës

— PE i bën thirrje autoriteteve shqiptare të sigurojnë respektimin e së drejtës së pronës, në mënyrë transparente dhe efektive, dhe në të njëjtën kohë të kryejë regjistrimet, kompensimet dhe kthimet e pronave në mënyrë të rregullt ligjore;

— PE i kërkon autoriteteve shqiptare të informojë në mënyrë të drejtë qytetarët për të drejtat e tyre, dhe thekson rëndësinë e vendosjes së regjimit të saktë të së drejtës së pronës për të siguruar shtetin e së drejtës dhe një mjedis tërheqës për investimet e huaja.

Për mbrojtjen e zonave të mbrojtura

— PE shpreh shqetësimin e thellë për disa projekte ekonomike, që dëmtojnë rëndë mjedisin në zonat e mbrojtura, si rezortet e mëdha dhe projektet për hidrocentalet përgjatë lumit Vjosa dhe Valbona;

— PE u bën thirrje autoriteteve për të shqyrtuar investimet në projektet e energjisë së rinovueshme, përveç hidrocentraleve;

— PE u kërkon autoriteteve të rrisin cilësinë e vlerësimeve strategjike mjedisore, të vlerësimeve të ndikimit në mjedis dhe të konsultimeve publike për projekte të tilla, duke marrë parasysh pikëpamjet e komunitetit lokal;

— PE përsërit thirrjen ndaj Shqipërisë për të zbatuar masat përkatëse të menaxhimit të mbeturinave dhe për të përafruar legjislacionin me atë të BE-së (EU acquis communautaire).

Për përdorimin e fondeve IPA

— PE i kërkon autoriteve shqiptare të përdorin në mënyrë efektive fondet e BE-së në të gjitha krahinat e vendit, dhe i bën thirrje Komisionit të sigurojë kushtëzim të rreptë të fondeve IPA dhe të vlerësojë me kujdes në raportet e tij përdorimin e tyre me efektivitet për Shqipërinë, në veçanti përdorimin për projektet e rëndësishme dhe prioritetet kyçe.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>