Raporti i DASH për Klimën e Investimeve: PPP-të dëmtuan konkurrencën, Shqipëria ndër më të korruptuarat në Ballkan

Raporti i DASH për Klimën e Investimeve: PPP-të dëmtuan konkurrencën, Shqipëria ndër më të korruptuarat në Ballkan

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar të martën raportin mbi Klimën e Investimeve të Huaja në Shqipëri për vitin 2020, ku thekson se vendi ende perceptohet si problematik për të investuar.

Me rritjen e përdorimit të skemave PPP (Partneritete Publik-Privat), sipas DASH-it, u dëmtua konkurrenca për investime, kryesisht në infrastrukturë.

“Analizat e dobëta të kostos dhe përfitimit, si dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave 3P janë shqetësime të vazhdueshme,” thuhet në raport.

Pavarësisht se, sipas DASH-it, Shqipëria vitin e shkuar bëri progres me rritjen e shërbimeve online nga 15% në 61%, korrupsioni, mungesa e transparencës në prokurimet publike dhe moszbatimi i kontratave, ngelen pengesa serioze për investitorët.

Raporti citon rankimin e Transparency International për perceptimin e korrupsionit, ku vendi ka humbur 7 vende, si dhe Sondazhin “Të bërit biznes” të Bankës Botërore, ku vendi humbi 19 vende brenda një viti.

Pavarësisht se kjo e fundit pjesërisht i detyrohet ndryshimit të metodologjisë së Bankës Botërore, “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut tashmë perceptohen si vendet më të korruptuara në Ballkanin Perëndimor”.

JO vetëm korrupsioni, por edhe inkurajimi i praktikave joformale të të bërit biznes përbën problem për investitorët amerikan. Në një rast, citohen disa vendime gjyqësore të diskutueshme si shkak për dëmtimin e investimit.

Tjetër problem kryesor përbën pronësia e tokës, ku vazhdojnë rastet e mbivendosjeve të titujve të pronësisë për shkak të korrupsionit në gjyqësor.

Ndërsa, procesi i kthimit dhe kompensimit të pronarëve të ligjshëm konsiderohet si “i lodhshëm, joefikas dhe i papërshtatshëm”.

Në raport theksohet se për të luftuar korrupsionin endemik, qeveria miratoi reformën në drejtësi, për të cilën thjesht thuhet se po përparon duke skualifikuar magjistratët që nuk justifikojnë pasurinë.

Mes vështirësive radhitet edhe fakti se procesi legjislativ në vend nuk përmbush kriteret minimale të transparencës.

Minsitritë dhe agjensitë publike nuk respektojnë ligjin mbi konsultimet publike dhe afatet e përcaktuara aty.

“Komuniteti i biznesit shpesh ankohet se versionet përfundimtare të ligjeve dhe rregulloreve nuk adresojnë komentet dhe shqetësimet e tyre dhe se afatet e konusltimeve jo gjithmonë respektohen,” shkruhet në raport.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>