Raporti i DASH për Shqipërinë: Investitorët e huaj nën presion politik, PPP-të jashtë kontrollit

Raporti i DASH për Shqipërinë: Investitorët e huaj nën presion politik, PPP-të jashtë kontrollit

Shqipëria është vendi më i korruptuar mes vendeve të rajonit, ku investitorët e huaj vihen nën presion për të kontraktuar kompani shqiptare me lidhje të forta politike. Kështu shkruan Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e përvitshëm për klimën e investimeve të huaja në Shqipëri.

Për herë të parë, raporti kritikon qeverinë për dhënien e shumë projekteve me partneritet publik-privat e koncesione pa bërë analizat e nevojshme të kostove dhe përfitimeve.

Ndër të tjera, raporti thekson se megjithëse ishte parashikuar që reforma në drejtësi të kthente besimin tek invesitorët e huaj, këta të fundit e perceptojnë klimën e investimeve në vend si problematike dhe thonë se Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes.

Disa nga pikat kryesore të raporit të DASH janë:

 – Investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në sistemin e drejtësisë, mungesën e transparencës në prokurimet publike dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme që vijojnë të shqetësojnë investitorët në Shqipëri.

 – Investitorët raportojnë shqetësime të vazhdueshme se institucionet përdorin legjislacion inkonsistent ose të vështirë për t’u interpretuar si mjet për të diskurajuar investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompani të lidhura politikisht.

 – Investitorët e huaj të mëdhenj raportojnë se janë përballur me presione për të punësuar kompani nënkontraktore shqiptare të lidhura politikisht.

 – Rregulloret dhe ligjet që rregullojnë veprimtarinë e biznesit ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime me komunitetin e biznesit.

 – Përdorimi në rritje i kontratave të Partneritetit Publik-Privat ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë dhe për investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave të PPP-ve janë shqetësime të vazhdueshme.

 – Të drejtat e pronës mbeten një sfidë tjetër në Shqipëri, pasi titulli i qartë i pronësisë është i vështirë për t’u marrë. Kompensimi për tokën e konfiskuar nga regjimi i mëparshëm komunist është i vështirë për t’u marrë dhe poshtë nivelit të tregut. Ndërkohë, agjencia e ngarkuar me heqjen e ndërtesave të ndërtuara në mënyrë të paligjshme shpesh vepron pa konsultime të plota dhe nuk ndjek procedurat.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>