FMN ka publikuar raportin e radhës mbi ekonominë shqiptare. Gjetjet kryesore të raportit janë:
- Gjenda e financave publike shqiptare, e rënduar pas pandemisë dhe tërmetit, ishte problematike që më parë;
- Megjithatë, Qeveria është e vendosur të mos heqë dorë nga planet angazhimet e saj afatgjata; sidomos në prag të zgjedhjeve;
- Detyrimet e prapambetura kanë vazhduar të rriten gjatë viteve të fundit;
- Këto veprime do përkthehen në një borxh publik të rritur, që rrezikon të kapë nivelin e 90% të PBB.
- Borxhi i rritur po mbulohet nga kredimarrja në tregjet e huaja. Ky lloj borxhi përbën rrezik të shtuar pasi monedha e brendshme mund të zhvlerësohet duke rrezikuar aftësinë paguese.
Më poshtë, një përmbledhje më teknike e gjetjeve kryesore të raportit, marrë nga blogu ekonomik Ekon.al
Rritja ekonomike e vendit është prekur ndjeshëm nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar dhe masat e karantinës për parandalimin e COVID-19.
Impakti i këtyre goditjeve rrezikon të jetë afatgjatë, duke rezultuar në një PBB 7% më të ulët në 2025 se ajo niveli i parashikuara para goditjeve. Thënë ndryshe, FMN nuk parashikon rikuperimin e dëmit të shkaktuar, siç ndodh shpesh pas krizave ekonomike. Ky parashkim shtron sërish nevojën për një diskutim mbi burimet e rritjes afatgjatë në vend.
Për periudhën afatmesme, FMN parashikon tkurrje me -7.5% të PBB për vitin 2020 dhe rritje prej 5.4% në 2021-shin. Këto parashikime janë përkeqësuar në krahasim me ato të Prill 2020, të theksuara në tabelën e mëposhtme me shënimin RFI, për shkak të efektit të tejzgjatur të pandemisë.
Parashikimet e FMN, siç e kemi theksuar më parë, janë dukshëm më të përmbajtura se sa ato të reflektuara në projektbuxhetin 2021 nga ana e Qeverisë. Projektbuxheti supozon ende një tkurrje ekonomike për vitin 2020 prej vetëm -4.3%. Të ardhurat për vitin 2020 sipas FMN parashikohen në nivelin e 23.2% të PBB-së, ndërsa Qeveria ende parashikon një nivel prej 25.8% të PBB-së.
Parashikimet tejet optimiste vazhdojnë edhe për vitin në vazhdim, sidomos në lidhje me të ardhurat dhe shpenzimet. Qeveria parashikon arkëtime në nivelin e 28.5% të PBB për vitin 2021, një nivel rekord historik, kundrejt 26.9% nga ana e FMN-së. Si rrjedhojë, qeveria parashikon shpenzime prej thuajse 35% të PBB-së, kundrejt 33% nga ana e FMN-së.
Këto parashikime tejet optimiste rrezikojnë të kthehen në problem nëse nuk mbështetet nga rritja ekonomike e parashikuar. Ato mund të kthehen në angazhime të parakohshme e të panevojshme, duke lënë pak hapësira për t’u përballur me rreziqet (kontingjencat) e vitit të ardhshëm, teksa pandemia ende nuk është nën kontroll.
Parashikimet për pjesën e mbetur të vitit 2020 dhe vitin 2021 rrezikojnë dhe angazhime të rëndësishme shoqërore, si rindërtimi i dëmeve të tërmetit, i parashikuar kryesisht për të njëjtat periudha. Nëse të ardhurat nuk materializohen në nivelet e parashikuara nga qeveria, do të duhet të zgjedhim një nga tre mundësitë:
- Mos kryerjen e plotë të rindërtimit, me efekte të rënda shoqërore;
- Shkurtimin e shpenzimeve të tjera kapitale, të rëndësishme për rritjen afatgjatë ekonomike;
- Zgjerimin më tej të deficitit dhe borxhit, ose krijimit të detyrimeve të prapambetura.
Pikërisht për detyrimet e prapambetura (arrears), FMN ngre shqetësime në lidhje me nivelin e tyre. Sipas të dhënave më të fundit, ato llogariten të jenë thuajse 30 miliardë lek, thuajse në gjysmën e nivelit të vitit 2013. Angazhimet e mara në vitin 2013 premtonin shlyerjen e detyrimeve të prapambetura dhe mos përsëritjen e këtij fenomeni në të ardhmen. Po ashtu, vlen të theksohet se shifra aktuale e detyrimeve të prapambetura ka gjasa të jetë edhe më e lartë. Sipas raportit të auditimit të buxhetit faktit 2019 nga KLSH, kjo shifër vlerësohet në nivelin e 53.3 miliardë lek (fq. 50 e raportit të KLSH).
Dobësitë në sistemet e kontrollit të financave publike janë vënë në dukje vazhdimisht gjatë raportit. Fondet për rindërtimin janë jashtë kuadrit ligjor të menaxhimit të financave publike. Sipas FMN, fondet duhen kanalizuar në sistemet e rregullta të prokurimit publik.
Situata problematike me financat publike meriton vëmendje të lartë. Për shkak të borxhit publik të lartë, detyrimeve të prapambetura të krijuara, dhe angazhimeve afatgjata në formën e kontratave PPP, Shqipëria kishte një situatë të rënduar në financat publike përpara se të përballej me goditjen e dyfishtë të tërmetit dhe pandemisë. Si rrjedhojë e hapësirave të limituara, buxheti ynë financoi paketën më të ulët anti-COVID krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
Ekspozimi i vazhduar i Qeverisë ndaj borxhit në valutë të huaj, duke përfituar nga ulja e normave të interesit në nivel botëror dhe nga vlerësimi i Lekut në raport me Euro-n, ka rritur rreziqet afatgjata për menaxhimin e borxhit publik shqiptar. Gjatë periudhës mars-prill 2020, Banka e Shqipërisë u detyrua të mbronte monedhën nga një zhvlerësim i saj, që do kishte zgjeruar raportin e borxhit ndaj PBB-së.
Ndërhyrje të tilla ndërmorën disa nga bankat qendrore të vendeve në zhvillim, në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare, me qëllim ruajtjen e normave të interesit ndaj bonove në nivele të sigurta. Në vija të përgjithshme, ndërhyrja funksionoi duke stabilizuar normat e interesit për vendet në zhvillim. Por, nëse për vende si Maqedonia e Veriut dhe Serbia, normat kanë filluar të kthehen në nivele para-krizës, kjo nuk ka ndodhur ende për Shqipërinë dhe Malin e Zi. Normat e interesit janë stabilizuar, por në nivele më të larta, duke rritur kështu koston afatgjatë për shërbimin e borxhit.
Kredimarrja në tregjet ndërkombëtare ka avantazhet e saj dhe është një instrument i dobishëm për shumë vende. Por ekspozimi i vazhdueshëm ndaj kredive në monedhë të huaj paraqet një rrezik të shtuar në rast zhvlerësimi të monedhës. Kontingjencat e deritanishme, në nivelin e 4.5 miliardë lek, mund të mos jenë të mjaftueshme teksa sasia e borxhit në monedhë të huaj vazhdon të zgjerohet. Shqipëria ka qenë me fat gjatë këtij 10-vjeçari duke mos u përballur shpesh me rreziqet që burojnë nga kredia në monedhë të huaj. Por siç po tregojnë zhvillimet e fundit, e ardhmja mund të mos jetë detyrimisht po kaq fatlume. Si rrjedhojë, sërish, marrja e masave është e nevojshme dhe e këshillueshme.