Raporti i KLSH hedh dritë mbi keqmenaxhimin e fondeve publike nga qeveria

Nga Johannes Estrada
Raporti i KLSH hedh dritë mbi keqmenaxhimin e fondeve publike nga qeveria

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për zbatimin e buxhetit 2017 u bë publik më në fund në tetor 2018. Në ditët para publikimit kishte shumë spekulime në media se raporti  do të përmbante gjetje kritike për keqmenaxhimin e fondeve publike nga administrata aktuale. Në fakt, raporti shkoi përtej pritshmërive origjinale duke zbuluar shkelje të vazhdueshme dhe sistematike në raportimin financiar, menaxhimin e buxhetit, transparencën e shpenzimeve publike, etj. Akoma më keq, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave nuk i mori parasysh gjetjet e tij pa ofruar asnjë shpjegim, ndërkohë që mediat kryesore e anashkaluan tërësisht lajmin. Gjetjet e raportit kishin implikime të forta politike. Çuditërisht, Kryetari i KLSH-së nuk e mbrojti publikisht në Komision raportin, duke ju bashkuar aktorëve të tjerë që tentuan të minimizonin rëndësinë e tij.

Me mbi 200 faqe, ky është një dokument masiv dhe një nga hetimet më profesionale të kryera ndonjëherë mbi financat publike të Shqipërisë. Raporti ofron disa gjetje kritike, të cilat duhet të ngrenë shqetësime në çdo nivel të administratës publike, si dhe për partnerët tanë ndërkombëtarë. Në të ardhmen, shpresojmë të jemi në gjendje të raportojmë mbi gjetjet në një mënyrë më të thelluar duke u bazuar në sektorët specifik, pasi vetëm një artikull nuk mund të mbulojë imtësisht të gjitha temat e rëndësishme të raportit.

Janë të paktën pesë zbulime kyçe që vlejnë të theksohen, duke pasur parasysh edhe debatet aktuale ekonomike dhe politike të vendit.

  • Ka shkelje të rënda dhe të vazhdueshme në procesin e prokurimit publik. Disa nga shkeljet më të rëndësishme vijnë nga kontrata dhe fatura të regjistruara pas afatit ligjor, mospërputhjet midis fondeve të kontraktuara dhe atyre të alokuara në Thesar, regjistrimi i gabuar i investimeve të financuara nga jashtë etj.
  • Rimbursimet e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) kryhen në mënyrë të paligjshme, subjektive, jo të rregullt dhe të vonuar, teksa nuk regjistrohen siç duhet në tabelat financiare. Detyrimet që burojnë nga rimbursimet e pashlyera të TVSH-së u rritën gjatë vitit 2017. Vlera totale e këtyre rimbursimeve është të paktën 92 milionë euro (11.4 miliard lekë të reja);
  • Procedurat e gabuara dhe të paligjshme kanë çuar në një rritje të detyrimeve të prapambetura, ku stokun aktual i detyrimeve vlerësohet të paktën deri në 153 milionë euro;
  • Si rezultart, niveli aktual i borxhit publik dhe i deficitit buxhetor është dukshëm më i lartë se sa është raportuar zyrtarisht, dhe qëndrojnë respektivisht të paktën në nivelet prej 72 për qind dhe 3.56 për qind të PBB-së (faqet 29, 56-57 të raportit), duke shkelur kështu kufirin ligjor prej 2 për qind për deficitin gjatë vitit zgjedhor 2017.
  • Reformat në sektorin e energjisë kanë dështuar në vija të përgjithshme, duke çuar në humbje të mëdha, të cilat kanë rritur në mënyrë të konsiderueshme subvencionet publike për sektorin.

 

Si ndodhin këto transaksione?

Fillimisht, është e rëndësishme të kuptojmë se si duhet të regjistrohen këto transaksione. Institucionet publike duhet të përpunojnë të gjitha kontratat dhe pagesat e tyre nëpërmjet Thesarit. Kontratat publike duhet të jenë të hapura për procesin e tenderimit përmes Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) vetëm pasi Thesari (nëpërmjet një sistemi elektronik të njohur si SIFQ) të ketë hapur një llogari përkatëse me shumën e saktë për institucionin prokurues. Kontratat që zgjasin përtej vitit fiskal duhet të përfshijnë gjithashtu një skemë pagesash për vitet e ardhshme. Faturat dhe pagesat që rrjedhin nga këto kontrata duhet të regjistrohen në Thesar deri në 30 ditë pasi ato të jenë ekzekutuar.

Tërësia e këtyre rregulla dhe procedura, shumica e të cilave burojnë nga ligji për menaxhimin e buxhetit dhe nga Vendimet e Këshillit të Ministrave, janë krijuar që të reflektojnë siç duhet pozicionin fiskal të qeverisë në çdo moment. Mos-kryerja e tyre nënkupton që statistikat zyrtare janë duke u manipuluar, po ndërmerren detyrime dhe kontrata të paparashikuara në buxhet, si dhe që po krijohen detyrime të prapambetura në të gjithë sistemin. Teorikisht, shkeljet e këtyre rregullave duhet të çojnë në gjoba, kontrata dhe faturat që u ngarkohen për pagesë zyrtarëve publikë përgjegjës, si dhe procedim penal kur këto shkelje janë edhe më të rënda. Megjithatë, teksa të gjitha këto rregulla janë shkelur vazhdimisht dhe sistematikisht sipas raportit të KLSH, asnjë zyrtar publik ende nuk ndodhet nën hetim.

 

Konkretisht, si shkelen këto rregulla?

Mënyrat dhe mjetet përmes të cilave shkelen rregullat e sipërpërmendura janë të shumta.

Fondet e specifikuara në tenderët e shpalluar nga APP ndryshojnë nga ato të alokuara në Thesar. Për shembull, në faqen 132, Tabela 47, raporti krahason vlerat e disa kontratave të shpallura nga APP me vlerën respektive në Thesar. Numrat ndryshojnë ndjeshëm me mospërputhje të konsiderueshme ndërmjet dy institucioneve. Thënë më thjesht, institucionet publike po tenderojnë pa pasur fondet për kryerjen e punimeve! Sipas raportit të KLSH, dy institucionet kryesore që vazhdimisht shkelin këto rregulla janë Bashkia e Tiranës dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Një nga projektet që nuk është deklaruar siç duhet nga Bashkia është rindërtimin e shumëpërfolur të parkut të lojërave “7 Xhuxhat” në një parkim publik që lehtëson ndërtimin e një kulle të re, Downtown Tirana. Vlerat e regjistruara në Thesar janë shpesh të paplota, të ndara sipas faturave, të regjistruara më vonë se sa kërkohet nga ligji, e kështu me radhë.

Figura 1: Diferencat mes fondeve të kontraktuara nga APP dhe atyre të alokuara nga Thesari

 

Datat për regjistrimin e kontratave të prokurimit publik po ashtu janë shkelur vazhdimisht. Shumë kontrata ose urdhra të prokurimit që janë regjistruar shumë më vonë se data e firmosjes së tyre. Raporti konstaton se deri në 71% të kontratave të nënshkruara në vitin 2017 janë regjistruar shumë më vonë, nganjëherë edhe në vitin 2018. Bashkia e Tiranës veçohet përsëri si një nga institucionet me numrin më të madh të shkeljeve.

Për më tepër, faturat që rrjedhin nga këto kontrata gjithashtu po keqmenaxhohen. Raporti i KLSH konstaton se mbi 80% të faturave, me vlerë deri në 234 milionë euro, regjistrohen më vonë se afati prej 30 ditësh, dhe nganjëherë shumë muaj më vonë. Bashkia e Tiranës së bashku me Autoritetin Rrugor Shqiptar veçohen si shkelësit kryesorë.

Investimet e financuara nga jashtë, të cilat janë kryer gjatë vitit 2017, nuk janë reflektuar plotësisht në tabelat financiare si shpenzime. Raporti gjen se të paktën 13.6 milionë euro në shpenzimet të kryera me hua të huaj të cilat duhet të pasqyrohen në vlerat e deficitit. Zgjerimi i Bulevardit të Tiranës është një nga shembujt kryesorë ku këto rregulla janë thyer.

 

Çfarë do të thotë e gjitha kjo?

Këto shkelje të vazhdueshme nga institucionet dhe agjencitë e ndryshme publike tregojnë se statistikat më të rëndësishme të financave publike janë të pasakta dhe nuk reflektojnë siç duhet pozicionin fiskal të të gjithë sektorit publik. Siç u përmend më lart, këto shkelje të vazhdueshme kanë krijuar akumulimin e detyrimeve të prapambetura me vlerë të paktën 153 milion euro dhe të paktën 92 milion euro detyrime për rimbursimin e TVSH-së. Si rezultat, deficiti publik gjatë vitit 2017 nuk ishte 1.99% e PBB-së, siç raportohet zyrtarisht nga Ministria e Financave, por të paktën 3.54%. Për më tepër, KLSH llogarit se borxhi publik nuk është 69.9%, por vërtitet rreth vlerës së 72% të PBB-së kur përfshihen detyrimet e sipërpërmendura, siç duhet të ndodhë.

Figura 2: Borxhi publik i llogaritur nga KLSH, ku raporti qëndron mbi vlerën prej 69.9% të publikur nga Ministria e Financave.

 

Vlen të theksohet se shifra e borxhit publik përjashton detyrimet nga Partneritetet Publike-Private, të cilat FMN dhe KLSH kanë kërkuar vazhdimisht që të përfshihen në llogaritjen e raportit. Nëse regjistrohen si borxh publik edhe kontratat e PPP-së, atëherë raporti kalon në mbi 80% të PBB-së.

Kjo është edhe më shqetësuese pasi qeveria shqiptare emetoi ​​së fundmi një eurobond duke përdorur statistikat zyrtare në prospektin që u ofrohet investitorëve të huaj. Këtyre të fundit tashmë u lind e drejta të padisin qeverinë nëse besojnë se janë gënjyer dhe kanë investuar paratë e tyre për shkak të shifrave jo të besueshme.

Figura 3: Një pjesë e prospektit të eurobondit, hartuar nga qeveria shqiptare, ku shihet përdorimi i statiskave zyrtare jo të sakta.

 

A ka më?

Për fat të keq, ka ende plot probleme të tjera. Një nga reformat gjoja të suksesshme të qeverisë gjatë këtyre viteve u zhvillua në sektorin e energjisë, ku familje të shumta u detyruan të paguajnë faturat të prapambetura, edhe kur nuk kishin mundësi ekonomike për ta kryer. Megjithatë, sipas raportit të KLSH, sektori tani është më i ngarkuar me borxhe sesa në vitin 2013, dhe tendenca po përkeqësohet gjithmonë e më shumë.

Figura 4 dhe 5 më poshtë tregojnë detyrimet gjithnjë në rritje për sektorin publik që rrjedhin nga garancitë shtetërore dhe nga nënhuatë – domethënë, borxhet që sektori i energjisë ka marrë nëpërmjet shtetit. Në të dyja rastet, tendenca në rritje është qartësisht e dukshme.

Figura 4: Detyrimet e krijuara nga garancitë shtetërore për sektorin e energjisë
Figura 5: Detyrimet e krijuara nga nënhuatë për sektorin e energjisë

Gjatë vitit 2017, sektori ka përfituar nga një amnistia e detyrimeve me vlerë rreth 78 milionë euro (9.6 miliardë lekë). Kjo ka kontribuar në ruajtjen formale të një treguesi të qëndrueshëm. Të zhveshur nga kjo amnisti fiskale, detyrimet totale në sektorin e energjisë do të ishin rritur nga 249 milionë euro në 2016 deri në 310 milionë euro për vitin 2017.

Si shembull, tabela 76 e raportit tregon se gjatë vitit 2017 të gjitha kompanitë shtetërore rritën detyrimet e tyre nga nënhuatë, një nga katër instrumentet përmes të cilave shteti i financon këto kompani (të tjerat janë garancitë, mbështetje direkte buxhetore, mbulim i borxheve tatimore). Kjo rritje ishte evidente jo vetëm për sektorin e energjisë, por edhe për ujësjellësit e bashkive të ndryshme. Sektori i energjisë pothuajse dyfishoi detyrimet e veta si pasojë e nënhuave, nga 42 milionë euro (5.2 milardë lekë) në 76 milionë euro.

Figura 6: Tabela 76 e raportit paraqet detyrimet e shoqërive me kapital shtetëror që burojnë nga nënhuatë. Detyrimet e gjithë sektorit energjitik janë në rreshtin e parë.

Është e qartë nga këto shifra se reforma aq shumë e propaganduar në sektorët e energjisë dhe furnizimit me ujë kanë pasur rezultate të dobëta deri më tani. Kjo po ashtu nënkupton që shumë nga detyrimet e krijuar në sektor lindin për një sërë arsyesh, ku keqmenaxhimi është mbase kryesori, dhe jo vetëm për shkak të mungesës së vullnetit të qytetarëve për të paguar për këto shërbime.

 

Komente përfundimtare

Disa javë më parë, ju përgjigja një artikulli të shkruar nga prof. Ricardo Hausmann lidhur me gjendjen e ekonomisë shqiptare. Kjo replikë përmbante shifra dhe fakte për të kundërshtuar shumë nga pretendimet e Prof. Hausman, por çështjet në lidhje me deficitin dhe borxhin nuk u diskutuan gjerësisht në krahasim me problemet e tjera. Raporti i KLSH tashmë siguron fakte të pakundërshtueshme se edhe shifrat e deficitit dhe borxhit, të cilat qeveria i kishte shpallur si suksese, nuk janë të sakta. Për më tepër, për të publikuar shifrat të paracaktuara, qeveria ka krijuar një sasi të madhe të borxhesh dhe detyrimesh të prapambetura, të cilat ka të ngjarë të bëhen një barrë e rëndë për planifikimet e ardhshme buxhetore dhe qeveritë pasuese.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>