OSBE/ODIHR ka publikuar raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Sipas raportit zgjedhjet u administruan mirë nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve dhe partitë ishin të lira të zhvillonin fushatat e tyre zgjedhore. Në ditën e votimit situata ishte relativisht e qetë dhe procesi u zhvillua sipas rregullave me përjashtim të disa rasteve kur vëzhguesit kanë vërejtur mbikqyrje të votuesve dhe grumbullime në kundërshtim me masat anti-COVID.
Raporti tërheq vëmendjen për reformën e Kodit Zgjedhor dhe ndryshimet në ligj të bëra para zgjedhjeve, të cilat sipas tij kanë bërë të paqarta rregullat si për votuesit ashtu dhe për KQZ-në pasi nuk i është dhënë koha e duhur për t’u konsultuar dhe zbatuar.
OSBE/ODIHR thotë se disa nga rekomandimet e saj janë adresuar por të tjera vijojnë të kërkojnë vëmendje si rregullat për financimin e partive politike, garantimi i lirisë së medias dhe depolitizimi i administratës zgjedhore.
Me këto rekomandime ODIHR i hap rrugë një reforme të re zgjedhore, teksa nënvizon se çështjet ligjore duhen shqyrtuar nga parlamenti i ri në shtator.
Sipas raportit, publikimi i të dhënave personale të votuesve ishte një çështje shqetësuese.
Përdorimi i administratës dhe shit-blerja e votës ishin fenomene prezente gjatë zgjedhjeve sipas raportit.
Aty theksohet gjithashtu se ndaj kandidatëve të pavarur nuk duhet aplikuar pragu 1% kombëtar për të hyrë në Kuvend.
Disa nga rekomandimet kryesore të raportit të OSBE/ODIHR janë si më poshtë:
- Ligji zgjedhor ka nevojë për rishikim të mëtejshëm për të adresuar rekomandimet e ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias dhe një numër paqartësish dhe mospërputhjesh. Ndryshimet në ligj duhet të paraprihen nga një proces i hapur dhe gjithëpërfshirës i konsultimit, dhe të miratohen para zgjedhjeve të ardhshme.
- Shteti duhet të garantojë të drejtën për një zgjedhje të lirë dhe të fshehtë. Çdo formë presioni për të zbuluar nëse dhe si votuan njerëzit duhet të parandalohet.
- Agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të shtojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e blerjes së votës. Qytetarët duhet të inkurajohen të denoncojnë shit-blerjen e votës ose presionin.
- Shqipëria duhet të garantojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve. Institucionet përkatëse duhet të hetojnë dhe sanksionojnë çdo shkelje që ndikon në besimin e publikut në procesin zgjedhor.
- Ligji duhet të ndryshohet për të siguruar që mediat të jenë në gjendje të mbulojnë në mënyrë të pavarur aktivitetet zgjedhore me qëllim që të kufizojnë përdorimin e përmbajtjes së prodhuar nga partia në lajme.
- Të rishikohet pragu kombëtar 1% për kandidatët e pavarur për të respektuar parimin e mundësive të barabarta.
- Për të shmangur zhvlerësimin e qëllimshëm të fletëve të votimit dhe për të rritur besimin në procesin zgjedhor, autoritetet duhet të investojnë në programe edukimi të votuesve të përshtatura për kategori të ndryshme të votuesve.
- Për të siguruar votimin universal dhe trajtimin e barabartë para ligjit, kufizimet e bazuara në aftësitë e kufizuara mendore duhet të hiqen dhe duhen regjistruar votuesit mbi 100 vjeç.
- E drejta e kryetarëve të partive politike që të konkurrojnë në disa zona zgjedhore duhet të rishikohet për të ruajtur parimin e barazisë.
- Të rishikohet dispozita e ligjit në lidhje me numrin maksimal të kandidatëve në lista dhe renditjen e kandidatëve të gjinive të ndryshme.
- Organet e zbatimit të ligjit duhet të hetojnë të gjitha pretendimet për shkelje zgjedhore, përfshirë keqpërdorimin e burimeve shtetërore, në një mënyrë të plotë, në kohë dhe transparente.
- Autoritetet duhet të forcojnë rregullat dhe të kufizojnë financimin e partive nga palë të treta.
- Partitë duhet të bëjnë publike të ardhurat dhe shpenzimet e fushatës para ditës së zgjedhjeve
- Kodi Zgjedhor duhet të ndryshohet për të garantuar mundësi të barabarta të të gjitha palëve garuese për mbulim në media, përfshirë hapësirën për reklamim.
- KQZ-ja duhet të vazhdojnë programet personale të edukimit të votuesve të përshtatura për nevojat e pakicave kombëtare rome dhe egjiptiane. Mund të bëhen përpjekje shtesë nga autoritetet për të lehtësuar aplikimin ose rinovimin e kartave të identitetit të votuesve me nevoja të veçanta.