Megjithëse Kryeministri Rama e quajti raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it fitore të qeverisë, çdokush që e lexon atë e kupton që nuk është kështu.
Përtej anëshmërisë së institucioneve si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe presionit mbi punonjësit e administratës për të votuar si kusht për të mbajtur vendin e punës, raporti përmend dhe abuzimin me median gjatë fushatës zgjedhore.
Liria e medias në Shqipëri ka qënë nën vëzhgim dhe është kritikuar gjatë 18 muajve të fundit për shkak të sulmeve të qeverisë, veçanërisht Kryeministrit Rama ndaj gazetarëve, punonjësve të medias dhe portaleve.
Raporti i ODIHR-it thekson kritikat që media ndërkombëtare, organizatat e ndryshme për të drejtat e gazetarëve dhe raportin e fundit të Departamentit të Shtetit ndaj Ramës dhe qeverisë së tij.
ODIHR vërejti se ‘sulmet ndaj gazetarëve, që rrallë herë hetohen apo ndiqen penalisht, kanë krijuar një atmosferë pandëshkueshmërie’.
Po ashtu, ODIHR vërejti se metoda e qeverisë që ndalon gazetarët të filmojnë aktivitetet elektorale dhe në vend të kësaj, vetë qeveria i dërgon redaksive kaseta të përgatitura nga stafet politike, shkel të drejtat e njeriut.
Raporti shton se kjo gjë pengoi votuesit të krijojnë opinionin e tyre dhe gjithashtu i rekomandoi qeverisë të lejojë gazetarët që të filmojnë vetë aktivitetet politike:
“Praktika e ndjekur nga Partia Socialiste dhe zyrtarët e saj duke i dhënë mediave filmime të gatshme të zyrtarëve apo fushatës së tyre dhe duke penguar aksesin e gazetarëve tek këto aktivitete, kufizoi mundësinë e votuesve për të patur një informacion objektiv.”
ODIHR thekson gjithashtu se media lokale është e “varur nga politika dhe interesat e biznesit të pronarëve të mediave” dhe se kjo çon në vetë-censurim të gazetarëve.
Raporti shkruan se media të tilla si Top Channel dhe KlanTV janë në thelb “platforma lobuese në shërbim të pronarëve të tyre” dhe në favor të Partisë Socialiste.
ODIHR kritikoi mungesën e transparencës për sa i përket pronësisë së mediave dhe çështjen e përqendrimit të pronësisë, duke përmendur një shembull të një familjeje që kontrollonte tre nga pesë frekuencat kombëtare.
ODIHR-i gjithashtu shkruan se Drejtori i Përgjithshëm i RTSH (televizion shtetëror) Thoma Gëllçi është ish-kryeredaktori i gazetës së Partisë Socialiste, Zëri i Popullit, si dhe mban poste në strukturën e PS. Ky fakt, sipas ODIHR-it, ‘ngjall dyshime për paanshmërinë’ e RTSH-së.
Media si Vizion Plus, Top Channel dhe TV Klan (të cilët morën miliona nga qeveria disa javë para fillimit të fushatës) të gjitha ishin qartësisht të anshme dhe i dhanë dy herë më shumë kohë PS-së, duke shërbyer në mënyrë efektive si platforma për promovimin e saj, sipas ODIHR-it.
Në tërësi, mbulimi i mediave për ‘fushatën zgjedhore’ u fokusua më shumë tek kryeministri Edi Rama se sa tek kandidatët nëpër bashki. Megjithatë përjashtim bëri kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, të cilit mediat i dhanë kohë televizive për të gjithë aktivitetet.