Progres Raporti 2018: bojatisje e realitetit të errët të Shqipërisë

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Progres Raporti 2018: bojatisje e realitetit të errët të Shqipërisë

Komisioni Europian botoi dje raportet vjetore të përparimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi Shqipërinë. Në to rekomandohej hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë “në sajë të përparimit të arritur, duke ruajtur dhe thelluar hovin aktual të reformave”.

Kjo është hera e dytë që Komisioni Europian i rekomandon Parlamentit Europian dhe Këshillit Europian hapjen e negociatave me Shqipërinë. Hera e parë ishte në Raportin e Përparimit të nëntorit 2016. Atij raporti iu bënë ndryshime të mëdha nga Parlamenti Europian, por përsëri rekomandimi nuk u miratua për shkak të vetos së Austrisë ndaj çdo lloj rekomandimi për zgjerim. Megjithatë, parimet e atij raport përparimi kanë shërbyer si udhëzues i procesit të integrimit të Shqipërisë gjatë këtyre dy viteve të fundit.

Kur Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit Europian (PE) miratoi raportin e amenduar më 3 shkurt 2017, në të u përfshinë në mënyrë të qartë “pesë prioritetet kyçe”, tashmë të famshme:

[PE] përshëndet përparimin e vazhdueshëm të Shqipërisë në reformat e lidhura me BE-në, veçanërisht miratimin konsensual në korrik 2016 të ndryshimeve kushtetuese duke hapur rrugën për një reformë të thellë dhe gjithëpërfshirëse të drejtësisë; thekson se jo vetëm miratimi por edhe zbatimi i plotë dhe në kohë i reformave në pesë prioritetet kyçe dhe përkushtimi i pandryshuar politik ndaj tyre janë thelbësore për të çuar më tej procesin e pranimit në BE; inkurajon Shqipërinë që të krijojë një përvojë të qëndrueshme në lidhje me këto reforma;

[PE] mirëpret rekomandimin e Komisionit për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë; mbështet plotësisht futjen e Shqipërisë në BE dhe kërkon që negociatat të hapen sapo të ketë një përparim të besueshëm dhe të qëndrueshëm në zbatimin e reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me qëllim që të mbahet hovi i reformës; 

Formulimi përfundimtar i raportit u duk se ishte një kompromis midis kërkesave të vështira gjermane për pesë prioritetet kyçe dhe qëndrimit të Komisionit Europian, i cili theksonte vetëm reformën në drejtësi.

Ndaj, le t’i hedhim një sy Raport të Përparimit të vitit 2018 hartuar nga Komisioni Europian. Që në hyrje të tij bëhet e qartë se Komisioni i ka shpërfillur kushtet e vendosura nga PE-ja në variantin përfundimtar të Raportit të vitit 2016, dhe ka vazhduar ta vlerësojë përparimin e Shqipërisë bazuar në kriteret e veta:

“Në nëntor të vitit 2016, Komisioni rekomandoi hapjen e negociatave me kusht përparimin e besueshëm dhe të prekshëm të reformës në drejtësi, veçanërisht në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetingu). Komisioni ka vazhduar të monitorojë në mënyrë të plotë zhvillimet në kuadër të Pesë Kushteve Kyçe.”

Asnjë fjalë për “zbatimin e plotë dhe në kohë”. Asgjë për “përparimin e besueshëm dhe të qëndrueshëm”. Në vend të tyre, kemi “Komisioni ka monitoruar në mënyrë të plotë”. Nga ajo që pason në raport, mund të dalim në përfundimin se, në të vërtetë, ky monitorim ka qenë, më së pakti, sipërfaqësor.

Duke lexuar Raportin e Përparimit, u befasova nga mënyra tronditëse se si Komisioni Evropian ka fshirë nga raporti shkeljet e shumta të ligjit nga qeveria shqiptare dhe ka përzgjedhur me kujdes të paraqesë vetëm ndryshimet e bëra në letër dhe jo zbatimin e tyre në praktikë. Zbatimi i sundimit të ligjit, parimi kryesor i Bashkimit Evropian, është praktikë, jo tekst teorik. Ai mbështet në veprime, jo në fjalë. Megjithatë, i gjithë Raporti i Përparimit duket se është rrëmbyer vetëm nga ato: fjalët.

Mbi të gjitha, Hyrja e Raportit të Përparimit—e cila përmbledh në pak fjalë gjithë raportin dhe ndoshta do të jetë e vetmja pjesë që do të lexojnë shumica e njerëzve—është qartësisht një version i pastruar dhe politikisht i dëshirueshëm i mbi 100 faqeve të raportit. Ajo ekzagjeron çdo gjë të mirë dhe injoron gjithçka të keqe. Ajo paraqet një panoramë suksesi, kur, në të vërtetë, duhet të paraqiste dështimin absolut të Komisionit Europian dhe përfaqësisë së tij në Tiranë për ta shtyrë Shqipërinë drejt demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Përkundrazi, ajo vetëm miraton dhe nxit rendjen e pandalshme të Shqipërisë drejt autoritarizmit dhe kapjes së shtetit nga krimi i organizuar.

Prioriteti Kyç 1: Reforma në administratën publike

Komisioni Europian arrin në përfundimin:

“Kuadri ligjor dhe ai strategjik tashmë janë të krijuar. Zbatimi i reformës së administratës publike ka vazhduar në mënyrë të pandryshuar, pas miratimit të legjislacionit të shërbimit civil, duke përparuar edhe më shumë drejt një shërbimi civil profesional dhe të mbështetur në meritë.”

Komisioni Europian, në mënyrë të leverdisshme, harron të përmendë se një raport i Dhjetorit 2017 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), arriti në përfundimin se zbatimi i Sistemit Informativ të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore (HRMIS) të administratës publike, ka dështuar tërësisht: “Efektiviteti dhe efikasiteti i këtij sistemi nuk është arritur dhe ende nuk dihet kur mund të arrihet.”

Për më tepër, një raport i fundit i financuar nga BE dhe OECD arrin në përfundimin e qartë se administrata publike nuk bazohet në meritë:

“Çështje shqetësuese mbetet mungesa e rregullave specifike për të garantuar rekrutimin e bazuar në meritë, e rregullave të integritetit dhe të procedurave disiplinore për disa grupe të punonjësve publikë që ushtrojnë autoritet publik dhe që u përjashtuan nga fusha e veprimit të shërbimit civil përmes amendimeve në Ligjin për Shërbimin Civil të miratuar në vitin 2014.

 […] Nuk ekziston një kuadër ligjor i njëjtë dhe gjithëpërfshirës për të siguruar rekrutimin e bazuar në meritë dhe shkarkimin e atyre punonjësve publikë që nuk mbulohen në kuadër të Ligjit të Shërbimit Civil.”

Kjo gjë pohohet më poshtë nga vetë Raporti : “Emërimet në shkelje të ligjit të shërbimit civil vazhdojnë të jenë një praktikë e zakonshme që pengon shërbimin civil të funksionojë me bazë merite.” Me fjalë të tjera, nuk është krijuar as “kuadri ligjor” as “kuadri strategjik”!

Shteti shqiptar as nuk e di se kush punon për të, ndërsa kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij vazhdojnë të shkelin Ligjin e Administratës Publike duke i shkarkuar nëpunësit civilë sipas dëshirës. Një raport i fundit i Freedom House përmend në mënyrë të qartë rrezikun e rrëshqitjes së Shqipërisë në autokraci.

Megjithatë, Raporti i Përparimit ka përqafuar në shumë pjesë të tij tone propagandistike në mbrojtje të qeverisë shqiptare. Duke folur për kaosin administrativ që u krijua pas zgjedhjeve, Raporti shprehet:

“Procesi i ristrukturimit krijoi boshllëk të përkohshëm në disa fusha të qeverisjes, i cili duhet të kapërcehet me shpejtësi, me qëllim që të parandalohet humbja e efikasitetit në vazhdimin e zbatimit të reformave.”

Përdorimi i cilësimit subjektiv “të kalohet me shpejtësi” është i habitshëm, veçanërisht sepse raportet e mësipërme dhe faktet kanë treguar se administrata publike nuk do të kapërcejë asgjë në të ardhmen e afërt. Në të vërtetë shprehja ”kapërcejë me shpejtësi” duket si shprehje e kopjuar fjalë për fjalë nga ndonjë memo shpresëdhënëse që qeveria mund t’i ketë dërguar Ambasadores së BE Vlahutin.

Prioriteti kyç 2: Reforma në drejtësi

Komisioni Europian del në përfundimin:

“Zbatimi i komponentëve të ndryshëm të reformës po përparon mirë sipas hapave dhe kalendarit të parashikuar dhe në përputhje me dispozitat ligjore.”

Niveli i verbërisë dhe padijes së qëllimshme në këtë pohim është tejet acarues. Nuk ka pothuajse asnjë komponent të vetëm të reformës gjyqësore që është zbatuar “në përputhje me dispozitat ligjore”.

Siç përmendet në Raportin e Përparimit, reforma gjyqësore përmban krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGj), Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Prokurorisë Speciale (SPAK), Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe disa institucione të tjera.

Ndryshimet kushtetuese të miratuara në 2016 parashikojnë qartë që KLP dhe KLGj duhet të ishin krijuar brenda 8 tetë muajve nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së ndryshuar. Duke qenë se ndryshimet u miratuan në korrik 2016, KLP dhe KLGj duhej të ishin krijuar në mars të vitit 2017 dhe moskrijimi i tyre është shkelje e Kushtetutës. Për më tepër, duket se ka shumë pak gjasa që ato të krijohen para fundit të vitit 2018.

Këto vonesa kanë çuar në një krizë kushtetuese në lidhje me zgjedhjen e një Prokurori të Përgjithshëm të Përkohshëm, në vonesa në krijimin e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimeve, në paralizë të plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe një boshllëk ligjor që ka çuar në vendosjen e plotë të kontrollit të qeverisë mbi prokurorinë dhe gjyqësorin.

Ndërkohë, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku ka bërë disa ndryshime antikushtetuese në strukturën e sistemit të prokurorisë, të cilat as nuk janë përmendur në Raportin e Përparimit.

Ndërkohë, Komisioni Evropian pretendon se: “Gjykatësit dhe prokurorët nuk mund të transferohen pa pëlqimin e tyre.” Në fakt pikërisht kjo gjë ka ndodhur në shumë raste që nga dhjetori 2017!

Për më tepër, Raporti i Progresit pohon se përsa i përket vettingut, “800 profesionistë janë duke u shqyrtuar aktualisht.” Kjo është sërish e pasaktë. Sipas njoftimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimeve (KPK), vetëm 138 raste janë hapur ose po përpunohen.

Raport i Përparimit pohon, gjithashtu, se është “përfunduar” vlerësimi i “të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe Kryeprokurorit”. Kjo është përsëri e pavërtetë. Deri tani, janë shqyrtuar vetëm tre gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese—një dha dorëheqjen gjatë rivlerësimit, një u përjashtua dhe një u rikonfirmua—ndërsa Kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori dhe Prokurorja e Përgjithshëm e Përkohshme Arta Marku, ende nuk janë caktuar për seancë dëgjimore. Dhe ky është vetëm hapi i parë në procesin e verifikimit, ndaj të cilit është i mundur apelimi në Dhomën e Apelit dhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Më tej, në brendësi të raportit, Komisioni tregohet më i kujdesshëm: “Pas krijimit të institucioneve verifikuese, po shqyrtohet grupi i parë i rasteve prioritare.” Po kush lexon deri aty!

Së fundi, Raport i Përparimit keqparaqit rolin e Gjykatës Kushtetuese në vlerësimin e ligjshmërisë së legjislacionit të vetingut. Ai shprehet: “Kushtetueshmëria e procesit të vetingut u kontestua dy herë pranë Gjykatës Kushtetuese, por kjo e fundit i refuzoi këto ankesa.” Edhe pse ligji i vetingut në tërësi nuk u refuzua, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi disa nene të ligjit të vetingut të cilat ishin antikushtetuese. Përsëri, Komisioni ka përzgjedhur sipas dëshirës.

Prioriteti Kyç 3: Lufta kundër korrupsionit

Është e habitshme se Komisioni Europian duket se sugjeron se “përparimi” në reformën në drejtësi, saktësisht disa magjistratë të dorëhequr ose të shkarkuar gjatë procesit të verifikimit (vetingut), duhet të llogariten si viktima të luftës kundër korrupsionit:

“Për sa i përket dënimit të zyrtarëve shtetërorë të nivelit të lartë, rezultate të rëndësishme janë arritur në sistemin e drejtësisë. Dënime janë marrë kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve. Sa i përket hapjes së çështjeve të reja kundër zyrtarëve të lartë shtetërorë, numri i tyre gjithashtu u rrit. Megjithatë, numri i dënimeve përfundimtare të zyrtarëve të lartë shtetërorë mbetet shumë i ulët.”

I gjithë thelbi i luftës kundër korrupsionit ishte pikërisht të çonte politikanët në burg, por kjo gjë nuk ka ndodhur në asnjë rast. SPAK-u është ende fantazi që nuk duket se do të realizohet deri në vitin 2019. Ndaj, veç numërimit të dyfishtë të “viktimave” të reformës në drejtësi dhe SPAK-ut inekzistent, çfarë tjetër ka për të na treguar Komisioni Europian? Një “numër të ulët zyrtarësh të lartë shtetërorë të dënuar me vendim përfundimtar”. Pikërisht, zero zyrtarë të dënuar.

Në vend që të vërë në dukje jokushtetueshmërinë e gjithë situatës, Raporti i Përparimit përmend, në mënyrë miratuese, taskforcën “Fuqia e Ligjit” të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj:

“Në nëntor 2017, Ministria e Brendshme miratoi planin e veprimit për luftën kundër krimit të organizuar (operacioni “Fuqia e ligjit”), i cili parashikon krijimin e taskforcave shumë disiplinore për mbikëqyrjen e zbatimin të saj, me fokus të veçantë në kapjen e të ardhurave nga krimi. Në këtë kuadër, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme nënshkruan, në shkurt 2018, një marrëveshje bashkëpunimi për trajtimin e përbashkët të krimeve të rënda dhe korrupsionit. Marrëveshja do të jetë në fuqi dhe e zbatueshme deri në themelimin e Prokurorisë Speciale (SPAK).”

Por siç e kam shpjeguar më parë, ky “plan veprimi” ka një historik shumë të dyshimtë, pasi ai i kalon të drejtat dhe detyrat e prokurorisë nën kontrollin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, çdo ndarje dhe kufi midis pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv zhduket. Justifikimi për këtë strukturë është, natyrisht, fakti që SPAK nuk është formuar ende. Është një shfajësim i volitshëm, por realiteti është dobësimi i sistemit të drejtësisë dhe jo forcimi i tij.

Në këtë pjesë, Raporti ndjek përsëri atë model që kam vënë në dukje diku tjetër. Në Parathënie gjithçka është e lumtur e plot diell, por faktet janë varrosur në detajet në brendësi të Raportit: “Megjithatë, korrupsioni është i përhapur dhe mbetet një çështje shqetësuese. Ndikimi i një sërë masave të ndërmarra mbetet ende për t’u parë.” Pra, nuk ka asnjë lloj përparimi çfarëdoqoftë!

Prioriteti kyç 4: Lufta kundër krimit të organizuar

Në vend që të raportojë se krimi i organizuar ka kapur shtetin shqiptar, duke arritur nivele dominuese edhe në disa vende të BE-së, përfshi Britaninë e Madhe, Francën dhe Holandën, e duke vënë alarmin mes ministrave të BE-së, Raporti i Përparimit vë në dukje se “operacionet e zbatimit të ligjit bënë të mundur konfiskimin e suksesshëm të sasive të mëdha të kanabisit të grumbulluara nga të korrat e mëparshme dhe, së fundmi, edhe kokainë nga Amerika Latine”.

Asnjë përmendje të faktit se nuk është arrestuar qoftë edhe një kriminel i vetëm i nivelit të lartë, apo se si u shfaq papritmas kjo kokainë! Një ndihmë: fitimet e disa viteve nga kultivimi dhe trafiku masiv i kanabisit gjatë qeverisjes Rama kanë konsoliduar rrugët e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe kartelet shqiptare kanë para mjaftueshëm për të hyrë në biznesin shumë më fitimprurës të kokainës. Sërish, faktet janë varrosur në mes të raportit: “Megjithatë, Shqipëria mbetet burimi kryesor i kanabisit të trafikuar në Bashkimin Evropian”.

Komisioni Europian, përmend, madje, në mënyrë miratuese ligjin për “vetingun e policisë“, i cili u miratua në parlament vetëm me votat e Partisë Socialiste (Raporti në mënyrë të pasaktë flet për “konsensus të gjerë ndërpartiak”), i cili, siç kam shpjeguar më herët, do t’i japë dorë të lirë Ministrit Xhafaj për të riformuar hierarkinë e Policisë së Shtetit. Në vend të një agjencie të pavarur të zbatimit të ligjit, Policia e Shtetit do të bëhet plotësisht e politizuar. Ky nuk është përparim, nëse me përparim nuk nënkuptojmë ecjen drejt një shteti policor.

Prioriteti kyç 5: Forcimi i të drejtave të njeriut

Në këtë seksion, Komisioni Evropian zhytet në moralizime bajate, duke e pasur të pamundur të tregojë qoftë edhe një pikë të vetme konkrete ku vendi është përmirësuar, dhe duke harruar hapat e shumtë mbrapa që janë bërë nën qeverisjen Rama, përfshi shkatërrimet arbitrare të pronës private dhe shpronësimet nën maskën e aksionit për “verifikimin e pronave bregdetare”.

Nuk duhen harruar sulmet e përsëritura personale të Kryeministrit Rama ndaj gazetarëve. Nuk duhet harruar as heshtja shurdhuese e qeverisë teksa figura publike dhe zyrtarë të lartë shprehën hapur publikisht urrejtje ndaj komunitetit LGBT.

Por nuk është e çuditshme që Komisioni Europian nuk sheh ndonjë problem në këtë pikë sepse siç tha dhe Komisioneri Hahn, pak kohë më parë, Rama ka “të drejtë të shprehë mendimet e tij.”

Përsëri, diku thellë në raport, gjejmë një tjetër lloj pohimi nga ai i Hyrjes së raportit: “Presim që autoritetet të tregojnë tolerancë zero ndaj kërcënimeve apo sulmeve ndaj medias dhe të mos bëjnë deklarata të cilat mund të krijojnë mjedis jo të favorshëm për lirinë e shprehjes.”Por raporti, gjithsesi, nuk përmend se kush janë këto “autoritete” në të vërtetë. Asnjë grimcë kritike.

Raporti i Përparimit, po ashtu, shtrembëron çështje bazike që lidhen me lirinë e shtypit. Për shembull, Raporti shkruan:

“Një program televiziv u mbyll dhe dy gazetarë u shkarkuan nga puna pas një historie hetimore që përfshinte një zyrtar lokal në tetor 2016, asnjë ankesë zyrtare nuk u bë.”

Kjo deklaratë lidhet me vdekjen e punëtorit të mitur Ardit Gjoklaj në landfillin e mbetjeve në Sharrë, çështje që përfshin kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, në një operacion të gjerë për mbulimin e ngjarjes që çoi në shkarkimin e dy gazetarëve, Alida Tota dhe Artan Rama. Punëdhënësi i mëparshëm i Artan Ramës, më pas, ngriti padi kundër Ramës për një artikull ku gazetari tregonte lidhjet e tij me qeverinë. Rama e fitoi gjyqin në dhjetor 2017. Pra, edhe pse “nuk u bë asnjë ankesë zyrtare” lidhur me rastin e Ardit Gjoklaj, ajo që shkruhet në Raportin e Përparimit është vetëm gjysma e historisë.

Reforma zgjedhore

Pjesa tjetër e raportit është me të vërtetë një punë ekspertësh në lyerjen me bojë dhe paraqitjen në mënyrë përzgjedhëse të realitetit.

Sa i përket reformës zgjedhore, Komisioni Europian shkruan se “një numër i rekomandimeve të OSBE/ODIHR mbeten ende të pazgjidhura.” Në fakt, 75 rekomandime nga raportet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 2013-ës, 2015-ës dhe 2017-ës nuk janë plotësuar ende, ndërkohë që Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore u shpërnda kohët e fundit, pa bërë asnjë përparim konkret për plotësimin e rekomandimeve.

Por në mënyrë të habitshme, Raporti i Përparimit thotë:

“Komiteti parlamentar ad hoc i sapoformuar për reformën zgjedhore duhet të adresojë në mënyrë gjithëpërfshirëse rekomandimet mbetura të OSBE/ODIHR-it, përpara zgjedhjeve lokale 2019.”

Prej 13 prillit 2018, ky pretendim është faktikisht i pavërtetë sepse komisionit parlamentar i skadoi afati. Komitetit Shqiptar të Helsinkit, në një deklaratë të fundit u shpreh: “Ne jemi vonë dhe kjo vonesë është e pajustifikuar po të shikojmë edhe historikun e reformës zgjedhore në vitet e fundit”.

 Saimir Tahiri

Vetëm një fjali i kushton Raporti i Përparimit dështimit të Parlamentit për t’i hequr imunitetin ish-Ministrit Saimir Tahiri, krahut të djathtë të Kryeministrit Rama, në një seancë-spektakël të shëmtuar, gjatë së cilës parlamenti praktikisht mori të drejtat e sistemit të drejtësisë dhe organizoi një gjyq qesharak në Kuvend.

Për mbrojtjen që qeveria i ka bërë Tahirit, Komisioni Evropian ka këto fjalë:

“Me kërkesë të prokurorisë, në tetor 2017 Parlamenti i hoqi pjesërisht imunitetin deputetit Tahiri, ish-ministër i Brendshëm”.

Ky justifikim patetik, me vetëm një fjali, reflekton faktin se asnjë përfaqësues i vetëm i Bashkimit Europian nuk e ka dënuar haptazi ish-ministrin Tahiri dhe asnjë prej tyre nuk ka mbështetur punën e prokurorisë për hetimin e tij. Pas shumë vitesh ankesa për nivelin e lartë të korrupsionit (përfshirë dhe në raportin aktual), më në fund kemi një rast në të cilin dy vende të ndryshme, një prej tyre anëtar i BE-së, kanë gjetur prova për korrupsionit dhe pjesëmarrjen në një bandë kriminale të një ish- ministri, por në Mout Brussels ka rënë heshtja e thellë.

Bonus: Radarët që funksionojnë

Si ilustrim të fundit për nivelin e thellë të mungesës së informimit të Komisionit Evropian, po citoj një pohim final: “Sistemi i Integruar Detar i Mbikëqyrjes i Radarëve për kufirin “e kaltër” (detin) është funksional.”

Një raport i datës 31 gusht 2017 nga Drejtori i atëhershëm i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako shprehet qartë se sistemi nuk ishte plotësisht funksional, duke çuar në mos zbulimin e mjeteve të transportit të drogës nga Shqipëria në Itali. Më vonë, provat e prokurorisë italiane nga hetimi i çështjes Habilaj, zbuluan shkakun: bandat kriminale kishin persona të infiltruar në dhomën ku mbikëqyreshin radarët, të cilët fiknin radarët në mënyrë që gomonet me drogë të kalonin pa u vënë re.

Si mund të merret seriozisht ky raport?!

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>