Miratimi i paketës ligjore anti-shpifje dhe retorika e përdorur nga Kryeministri Edi Rama e kryetari i opozitës Lulzim Basha janë dy shqetësimet kryesore të ngritura në raportin e Universitetit të Oxfrodit, “Gazetaria nën sulm në Evropën Qendrore dhe Lindore”, në lidhje me Shqipërinë:
“Në Shqipëri, Kryeministri Edi Rama shpesh i referohet gazetarëve si kazan plehrash (kazan), ndërsa kryetari i opozitës Lulzim Basha, i referohet medias si e “kapur dhe e blerë”. Sikurse pritej, Shqipëria sapo ka miratuar një ligj të ashpër të quajtur anti-shpifje që i jep mundësinë qeverisë të gjykojë ankesat e ardhura në drejtim të portaleve, të vendosë kufizim, të vendosë gjoba dhe të bllokojë aktivitetin e tyre”.
Raporti, përmes një sondazhi të kryer me gazetarë nga 16 vende të rajonit vlerësoi se autonomia dhe pavarësia e medias në rajon është e kërcënuar nga politikanët, të cilët sulmojnë verbalisht gazetarët, por edhe nga gazetarët e tjerë që ofendojnë dhe kërcënojnë kolegët e tyre të mediave konkurente. Kështu:
“64.5 përqind e gazetarët thonë se ata janë ngacmuar ose kërcënuar për shkak të profesionit dhe 83.3 përqind thonë se sulmet kanë ndodhur online. Gjysma e të intervistuarve tha se ata janë ngacmuar dhe sulmuar fizikisht. Në veçanti, gazetaret femra sulmohen më shumë online dhe ngacmohen fizikisht dhe seksualisht.
63 përqind e gazetarëve të pyetur thanë se ata janë kritikuar publikisht nga politikanët për një shkrim të tyre. Zakonisht këto kritika bëhen verbalisht dhe më pas ndiqen nga një postim në median sociale. Sulmet kryhen sipas metodës së vjetër, duke i tërhequr vëmendjen kryeredaktorëve përgjegjës për publikimin”.
Shembull tjetër i kërcënimit të gazetarëve është edhe përdorimi i padive dhe kërcënimi me padi, të cilat kanë për qëllim “dëmtimin e gazetarëve dhe mbajtjen nën fre të raportimit për interes publik që ushqen aktivizmin e shoqërisë civile”, shkruhet në raport.
Raporti thekson se kapja e medias si shkak i kuadrit ligjor të dobët, presionit financiar dhe individët privat me motivacione politike që duan të ndikojnë median, është një fenomen në rritje. Kjo shkrirje ndërmjet klasës politike dhe pronarëve të medias ka “arritur nivele të paprecedenta, duke krijuar fenomenin e kapjes së medias”. Kjo do të thotë se institucionet e medias po veprojnë si pjesë e kartelit biznes-qeveri që kontrollon rrjedhën e informacionit me qëllim mbrojtjen e tyre në aksesin e burimeve publike, sqaron raporti.
Raporti u hartua në bazë të të dhënave të sondazhit të kryer online nga 4 nëntor 2019 deri në 14 dhjetor 2019. Vendet e përzgjedhura ishin Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Rupublika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Polonia, Rumania, Serbia, Sllovakia, dhe Sllovenia.