Sipas një raporti të siguruar nga Abc News në 4 ditët e fundit policia ka asgjësuar rreth 4,000 bimë kanabis sativa.
Raporti i mbajtur nga data 24 deri më 28 shtator bën fjalë për disa aksione në Librazhd, Kukës, Shkodër, Gjirokastër, Durrës dhe Vlorë.
Sasitë e asgjësuara në 4 ditët e fundit:
2836 bimë në Orenjë, Librazhd
1035 bimë në Kukës
77 bimë në Malësinë e Shoshit
Sipas Abc News, në shumë raste policia nuk ka mundur të identifikojë kultivuesit pasi bimët qenë mbjellë në zona në pronë publike. Për këtë janë ngarkuar me përgjegjësi një kryetar fshati, një inxhinier pyjesh dhe dy punonjës të policisë.
Në dy muajt e fundit, policia nuk ka dhënë rregullisht informacione rreth sasive të bimëve të asgjësuara.
Abc News thotë se arsyeja e mospublikimit të rezultateve ka qenë “minimizimi i fenomenit të kultivimit”.
Në gusht dhe shtator policia arrestoi 27 persona vetëm në zonat e Krujës, ndërsa shpalli në kërkim 10 të tjerë. Në raportimet për këto aksione, policia nuk tregoi shumë për bimët e asgjësuara.
Prej fillimit të gushtit ka pasur raportime për rritje të kultivimit të narkotikëve. Zëri i Amerikës (VOA) raportoi se kultivimi i drogës në jug të vendit qe rritur, duke u kthyer edhe në fshatin Lazarat. Këtë konstatim e përforcoi edhe një dokumentar i Rai 3 ku thuhej se një e treta e territorit shqiptar është mbjellë këtë vit me kanabis.