Raporti vjetor i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, tregon se si një nga këshillat e lartë të drejtësisë vazhdimisht dështoi të arrinte standartet e reformës në drejtësi, që prej krijimit të tij.
Pasi Presidenti Meta refuzoi të hidhte shortin për KED 2019, për shkak të listës së paplotë të kandidatëve, Kryetari i Parlamentit Gramoz Ruçi mori përsipër ta organizonte atë.
Ai instaloi një të ashtuquajtur “Këshill të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi”, term dhe zgjidhje e përdorur më parë për “Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm” dhe njëkohësisht anëtaren e “Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi” Arta Marku.
Veprimtaria e KED-it në fakt nuk është e përkohshme dhe vendimet e tij sollën efekte që zgjasin në kohë dhe janë mjaft të dëmshme.
Problemet filluan që me formimin e KED-it.
Për shkak të shkarkimeve nga vetingu, një nga 9 vendet nuk arriti të plotësohej, ndërsa Bashkim Dedja u shkarkua si anëtar i Gjykatës Kushtetuese pasi ishte zgjedhur si anëtar i KED-it. Më pas dhe anëtari zëvendësues Gurali Brahimllari u shkarkua, ndërsa në 10 dhjetor u shkarkua Fatri Islamaj.
Dhe kështu KED përfundoi vitin e tij “funksional” me gjashtë nga nëntë anëtarë.
Do pyesni ju, si mundet që magjistrantë të cilët nuk kanë kaluar procesin e vetingut, të marrin pjesë në diskutime për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese?! Kjo është një nga defektet më të dëmshme të reformës në drejtësi.
Raporti vjetor gjithashtu detajon qartë kaosin që KED gjeti filloi aktivitetin e tij: mungonin akte nënligjore, mungonin dokumentat administrativ lidhur me mbushjen e vendeve të lira në Gjykatën Kushtetuese dhe mungonte personeli ndihmës dhe zyrat. Ky ambient i papërshtatshëm pune nuk është rezultat vetëm i dështimit të qeverisë për të siguruar mjedisin e nevojshëm të punës për institucionet e reja të drejtësisë.
Raporti Fillestar i EURALIUS V thotë qartë (në Aktivitetin 1.5.4) se drejtuesja Agnes Bernhard është përgjegjëse për të ndihmuar Parlamentin “në funksionin e tij për të mbështetur dhe monitoruar institucionet shqiptare në zbatimin e Reformës në Drejtësi”.
Duke marrë parasysh faktin se u deshën (në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e reformës në drejtësi) disa vjet për ta ngrituer këtë KED (të përkohshëm dhe të paplotë), si mundet të mungonte ndihma juridike dhe administrative, veçanërisht kur dihej gjerësisht se Gjykata Kushtetuese ishte jofunksionale? Pse EURALIUS nuk bëri një paralajmërim? Pse Delegacioni i BE-së në Tiranë, mbështetësi i qeverinë Rama, nuk bëri zë?
Ajo që e përkeqësoi edhe më tej situatën është fakti që zyrat e KED janë në Gjykatë së Lartë, e cila është shpërbërë nga reforma në drejtësi dhe ka vetëm një gjyqtar, pa mandat dhe të diskutueshëm: Ardian Dvorani, në të njëjtën kohë kryetari i paracaktuar i KED.
Dështimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për të plotësuar vendet e lira në Gjykatën e Lartë, dobësoi edhe më tej KED-in, i cili, jo vetëm që mbështetet në ambientet e Gjykatës e Lartë për zyrat, personelin dhe buxhetin, por gjithashtu ka nevojë që Gjykata e Lartë të propozojë kandidatë për Gjykatën Kushtetuese. Dhe kështu, çdo aktor e tërheq tjetrin poshtë me shpëjtësi në moçalin e defekteve dhe dështimit të reformës.
Ndërsa është natyrisht në interes të qeverisë Rama që Gjykata Kushtetuese të jetë jofunksionale për aq kohë sa të jetë e mundur, për ndërkombëtarët ngritja e saj është prioriteti numër një.
Por pse ata kurrë nuk e adresuan publikisht faktin që KED nuk ishte në gjendje të bënte punën e tij për shkak të kushteve materiale?! Vetëm pas gati gjysmë viti përpjekje, më 10 maj, Këshilli i Ministrave vendosi t’i japë KED buxhet shtesë, për të vazhduar punën!
Vetë KED-i i përkohshëm shprehet se detyrat që duhej të përmbushte – ringritja e Gjykatës Kushtetuese – ishte “plotësisht e paparashikuar më parë dhe e jashtëzakonshme”, e më pas shton:
“Për shkak të krijimit të njëpasnjëshëm dhe të shpejtë të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe shpalljes së tyre sipas ligjit nga organet emërtuese, krahas atij të Inspektorit të Lartë të Drejtëisë, si dhe për shkak të mosfunksionimit të Këshillave të mëparshëm, KED (i përkohshëm) i zgjedhur për vitin 2019 është gjendur përballë një situate që shkon përtej parashikimeve kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtij organi kushtetues, si organ kolegjial ad hoc, ku anëtarët e tij në të njëjtën kohë kryejnë edhe funksione të tjera kushtetuese dhe gjyqësore, pa buxhet, infrastrukturë dhe personel të vetë Këshillit, si institucionet e tjera kushtetuese dhe administratës publike.”
Duke përfunduar:
“Ky Këshill […] kishte një ngarkesë të jashtëzakonshme pune, të pa parashikuar dhe përtej motiveve të hartuesve të Kushtetutës […].”
Çfarë do të thotë kjo? Se shkatërrimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte “plani” i reformës në drejtësi?
Herë pas here, si zyrtarë qeveritarë, ashtu edhe ndërkombëtarë shprehin befasi për efektet shkatërruese të vettingut mbi gjyqësorin, sikur asnjë prej kësaj të mos ishte parashikuar kur u hartua legjislacioni nga ekspertët më të mirë dhe më të ditur të financuar nga BE.
Ekzistojnë dy shpjegime: Ose reforma në drejtësi u hartua keq sepse nuk arriti të merrte parasysh shembjen e plotë të një gjyqësori funksional, ose të gjithë të përfshirët e dinin se kjo mund të ndodhte, dhe ia mbajtën të fshehtë opinionit publik për të miratuar reformën. Pra, ose janë të paaftë, ose gënjejnë. Me shumë mundësi, për fat të keq për qytetarët shqiptatë, ata i gëzojnë të dy këto veti.
Pjesa tjetër e raportit i është kushtuar diskutimit të procedurave për zgjedhjen e anëtarëve e rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, raporti hedh poshtë disa nga pohimet e qeverisë rreth përzgjedhjes.
Para së gjithash, raporti i KED-it duket se mbështet argumentet e Presidentit Ilir Meta se Parlamenti nuk duhet të zgjidhte gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nga listat që përmbajnë më pak se 3 kandidatë.
KED shprehet qartë se “sipas Kushtetutës kërkohet një numër minimal prej 3 kandidatësh që do të zgjidhen nga organi emërues”, dhe se në bazë të këtij rregulli i kishte kërkuar Presidentit të ri-shpallte njërën prej vendeve vakate. Zgjedhja e Elsa Toskës dhe Fiona Papajorgjit nga Kuvendi, nga listat që përmbanin më pak se tre kandidatë është, sipas vetë KED-it, në kundërshtim me Kushtetutën.
Raporti i KED-it, megjithatë, anashkaloi pjesën më të madhe të krizës kushtetuese të shkaktuar nga insistimi i Presidentit që anëtarët të zgjidhen sipas radhës të përcaktuar në Kushtetutë dhe Ligjit të Gjykatës Kushtetuese, dhe injoron faktin se duke i dërguar Presidentit dhe Parlamentit listat e tyre të kandidatëve në kohë të ndryshme, pa marrë parasysh Gjykatën e Lartë, shkeli Kushtetutën.
KED nuk jep argumente të mëtejshme për të mbështetur veprimet e tij përveç se deklaron se ka dorëzuar raportet siç kërkohet në ligj.
Ndërsa raporti nuk diskuton betejën përfundimtare midis Parlamentit dhe Presidentit për emërimin e Marsida Xhaferllarit dhe betimin “e rremë” para një noteri në Tiranë të Arta Vorpsit, ai vë në rrezik kryetarin e vet, Ardian Dvorani, i cili pretendoi publikisht që Arta Vorpsi ishte bërë ligjërisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Në bazë të këtyre deklaratave, Presidenti Meta më vonë bëri kallzim penal kundër Dvoranit. Prokuroria, megjithatë, e pushoi çështjen.
Arritjet e Këshillit të Emërimeve të Drejtësisë të vitit 2019 janë dëshpëruese: Gjykata Kushtetuese dhe Inspektorat i Lartë i Drejtësisë nuk janë funksionale, pavarësisht të gjitha premtimeve, lutjeve dhe dëshirave të ndërkombëtarëve.
Në fund të vitit 2019, Gjykata Kushtetuese kishte 5 anëtarë, 1 më pak se kuorumi juridikisht i domosdoshëm për të dhënë vendime për çështje, por shkarkimi i Besnik Muçit (i cili u zgjodh në gjykatën më të lartë të vendit edhe pse ende nuk kishte kaluar vetingun me vendim përfundimtar!) çoi në 4 numrin e anëtarëve të GJK. Vitore Tusha, tashmë ka mbaruar mandatin e saj (ashtu si drejtuesi i KED-it Dvorani) dhe duhet të zëvendësohet.
Në dhjetor, Presidenti Meta zgjodhi një KED-in e ri për vitin 2020, me të njëtin drejtues, Dvoranin. Këtë herë, KED është i plotë, sepse Parlamenti, pa konsensusin e opozitës, ndryshoi Ligjin e statusit në mënyrë që anëtarët jo vetëm që nuk kanë nevojë të bëjnë vetting, por edhe nuk duhet të kenë mbaruar Shkollën e Magjistraturës. Kështu si përfundim ky është një ogur i mirë për vitin e ri!