Thorsten Frei, deputet i CDU-së së Angela Merkel, deklaroi sot se ka shumë dyshime nëse ligji special i qeverisë Rama për Teatrin Kombëtar është në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe kushtetutën shqiptare.
Në një intervistë për gazetën Panorama, Zoti Frei, njëkohësisht dhe raportues i CDU-së për Shqipërinë, tha se mungesa e gjykatave në Shqipëri e bën shumë të vështirë që të qartësohet rasti i Teatrit Kombëtar, si dhe theksoi se kjo çështje do të tregojë se sa serioz është Rama për hapjen e negociatave me BE-në dhe respektimin e ligjeve europiane.
Gjatë intervistës, deputeti Frei foli dhe për skandalin e ministrit Xhafaj dhë vëllait të tij të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge. Sipas Freit, në një situatë të tillë, Ministri Xhafaj nuk do të vazhdonte më detyrën.
Disa nga deklaratat kryesore të deputetit Thorsten Frei janë:
Për ligjin special të Teatrit Kombëtar:
[Ligji special i Teatrit Kombëtar] ka shumë pikëpyetje në lidhje me ligjin e BE-së dhe Kushtetutën shqiptare. Nga këndvështrimi im, presidenti Meta me të drejtë, e ktheu ligjin përsëri në Parlament.
Është e vështirë të qartësohet rasti mbi sundimin e ligjit, pa gjykata funksionale.
Rasti i Teatrit Kombëtar do të tregojë se sa serioz është Edi Rama me anëtarësimin në BE.
Për ministrin Xhafaj:
Sipas standardeve gjermane, ai [Fatmir Xhafaj]ndoshta nuk do të mbetej në detyrë. Faktori vendimtar është gjithmonë presioni i shoqërisë sonë shumë të fortë civile.
Për negociatat e Shqipërisë me BE-në:
Nuk ka asnjë mënyrë automatike për të nisur negociatat e pranimit verën e ardhshme. Vendimi [për hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë] u shty për shkak të mangësive ekzistuese.
Sipas pikëpamjes sonë ka dy deficite të mëdha: së pari, përfundimi i vetingut për 57 gjykatësit dhe prokurorët më të lartë, pra funksionimin e pavarur të gjykatave më të larta; së dyti, përfundimi i Reformës Zgjedhore dhe zgjedhjet locale, të cilat mbahen nën regjimin e një ligji të ri zgjedhor.
Vetëm nëse këto deficite eleminohen, unë jam i sigurtë se Buntestagu dhe veçanërisht grupi parlamentar I CDU/CSU do t’i rekomandojë qeverisë federale që të miratojë hapjen e negociatave të pranimit në Këshillin Europian.
Për përplasjet pozitë-opozitë:
Ligji siguron një nga levat e pakta që ka opozita. Është e kuptueshme që PD e LSI të kenë kërkesa me miratimin e tyre. Është në dorë dhe përgjegjësia e Kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij për të gjetur një kompromis, për të nxitur reformat e nevojshme dhe për të arritur përparim konkret në rrugën drejt Europës.