Raportuesit për Shqipërinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës kritikuan Partinë Demokratike për lënien e mandateve parlamentare, si dhe Partinë Socialiste se përtej fjalëve ajo nuk është angazhuar vërtet dhe me sinqeritet për të dialoguar me opozitën. Ata i kanë bërë thirrje partive politike në Shqipëri të zgjidhin krizën politike sa më shpejt.
Dy raportuesit Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly botuan sot një deklaratë me vlerësimet e tyre pas vizitës në Shqipëri në muajin tetor. Ata u takuan me drejtuesit e partive kryesore ne vënd, me gazetarë, anëtarë të shoqërisë civile dhe me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Shqipëri.
Raportuesit e KiE-së vlerësuan mendimin e Komisionit të Venecias lidhur me dekretet e Presidentit Meta. Ata theksuan dy përfundimet kryesore të mendimit të Venecias: Meta ka tejkaluar kompetencat kushtetuese me dekretet e zgjedhjeve, por kjo nuk është bazë e mjaftueshme që shumica parlamentare ta shkarkojë atë. Ata i bënë thirrje parlamentit të mbajë parasysh këto dy pika.
Reforma zgjedhore dhe zgjedhjet e mëpasme mund të jenë çelësi për zgjidhjen e krizës politike, sipas raportuesve. Ata kërkuar që partitë e opozitës jashtëparlamentare të angazhohen plotësisht në realizimin e kësaj reforme.
Dy raportuesit vlerësuan arritjet e reformës në drejtësi, por shprehën shqetësim për mosfunksionimin e dy gjykatave më të larta në vend, si për vonesat në formimin e SPAK-ut. Ata pohojnë se në Shqipëri kishin marrë garancitë se brenda vitit këto institucione do të ishin funksionale. Gjithashtu, raportuesit theksuan se Gjykata kushtetuese mudn të luajë një rol shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e krizës politike, pasi aktualisht në Shqipëri nuk ka arbitër të pavarur.
Hunko dhe O’Reilly paraqitën shqetësim për përkeqësimin e mjedisit për mediat dhe gazetarët në Shqipëri. Ata i kërkuan qeverisë shqiptare të bëjë ndryshimet e sugjeruara nga OSBE në projektligjin “anti-shpifje”, që gazetarët pretendojnë se vendos censurë.