Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut pyeti qeverinë nëse Kolegji i Posaçëm i Apelimit është krijuar sipas ligjit, nëse anëtarët e saj, Luan Daci dhe Ardian Hajdari janë zgjedhur sipas ligjit dhe nëse kërkesa e ish-prokurorit, Besnik Cani kundër dy anëtarëve të KPA-së është shqyrtuar nga intitucionet kompetente, dhe nëse këto institucione kanë marrë masa për ndreqjen e këtyre shkeljeve.
Më 27 shkurt 2020, KPA vendosi ta shkarkojë Canin.
Prokurori Cani u konfirmua fillimisht në detyrë më 27 nëntor 2018, nga KPK. Dy javë më vonë, ai u zgjodh anëtar i KLP-së.
Vendimi i konfirmimit në detyrë u ankimua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) dhe Komisioneri Publik.
Cani njësoj si prokurorja Sevdari iu drejtua gjykatës më të lartë të Evropës, Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, duke pretenduar se iu mohua e drejta për një gjykim të drejtë, pjesërisht për shkak të zgjedhjes së paligjshme të Dacit.
Në janar të vitit 2020, anëtari i KLP-së, Besnik Cani paditi anëtarin e KPA-së Luan Daci në SPAK, bazuar në të njëjtat argumente të bëra më parë nga Sevdari: ai ishte larguar nga funksioni i tij si gjyqtar, dhe ishte zgjedhur në shkelje të ligjit të vetingut, duke falsifikuar dokumentat dhe duke e fshirë nga jetëshkrimi i tij këtë fakt.
SPAK-u filloi menjëherë hetimin dhe zbuloi atë që ishte e qartë: Daci është zgjedhur në bazë të të dhënave fallso dhe për këtë arsye ai, tashmë, është pezulluar nga KPA-ja.
Gjykata e Posaçme e Apelit e dënoi me 6 muaj burg ish-anëtarin e KPA-së, Luan Daci me 8 mars 2021, për fallsifikim dhe fshehje të dokumentave të aplikimit. Dënimi u konvertuar në një vit shërbim prove dhe kushtin që mos ushtrojë funksione publike.
Më 8 korrik 2021 Kolegji i Posaçëm i Apelimit e ka pezulluar hetimin disiplinor ndaj gjyqtarit Luan Daci deri në një vendim nga Gjykata e Lartë, mbi rekursin që ai ka bërë për vendimin e Apelit të Posaçëm, i cili e ka dënuar me burg.
Për këtë çështje, Strasburgu kërkon nga qeveria shqiptare përgjigje për këto pyetje:
1.A aplikohet neni 6 pika 1 e Konventës Europiane e të Drejtave të Njeriut, që garanton proces të rregullt ligjor për çdokënd, në rastin e Canit?
a).A ishte emërimi i L.D dhe A.H nga parlamenti në shkelje të kritereve të vendosura në ligjet e vendit për anëtarët e KPA?
b). A e pengoi ankimin në një gjykatë të vendit, shkelja në zgjedhjen e anëtarëve të KPA-së?
c). A e zgjidhi gjykata e vendit shkeljen e kryer në zgjedhjen e anëtarëve të KPA-së dhe pasojat e saj?
(i). A ofroi ligji vendas një zgjidhje për aplikantin?
(ii). Nëse po, cili institucion pati të drejtën për të vendosur mbi moszgjedhjen e anëtarëve të KPA-së?
(iii) A ishin vendimet e gjykatave të vendit konsistente, në gjetjet e tyre mbi autoritetin që duhet të kishte vendosur moszgjedhjen e anëtarëve të KPA-së? (Shih vendimin e KPA-së për refuzimin e pranisë së anëtarëve L.D dhe A.H në proces, kërkesë e aplikuesit).
2. A ka qënë KPA e paanshme në shqyrtimin e rastit dhe a i ka shteruar Cani të gjitha mjetet juridike të brendshme? Veçanërisht prania e L.D dhe A.H a i ka dhënë arsye ankuesit të justifikojë frikën për paanshmëri të KPA-së?
3. A ka pasur kërkuesi një gjykim të drejtë përpara KPA-së? A i është dhënë mundësia kërkuesit të vërë në dyshim provat e trupës gjykuese, në vecanti raportin financiar?
4. A ka pasur një shkelje të nenit 8 të Konventës, për llogari të shkarkimit nga detyra, si në Xhoxhaj kundër Shqipërisë?
a). A ishte ndërhyrje në përputhje me ligjin e vendit? Në veçanti, a ishte gjetja e KPA-së se “ aplikanti ka minuar besimin publik në drejtësi” (shih rastin Xhoxhaj kundër Shqipërisë)?
b). A ishte shkarkimi nga detyra e aplikantit në proporcion me qëllimet ligjore të ndjekura?
5. A ka pasur shkelje të nenin 13 të Konventës për shkarkimin nga puna të aplikantit? (Neni 13- Të gjithë të drejtat dhe liritë e të cilëve përcaktohen në këtë Konventë janë shkelur, ato do të kenë një zgjidhje efektive para një autoriteti pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në cilësinë zyrtare).