Kolegji i Apelimit do të vendosë sot nëse ish-Kryeprokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla do t’i nënshtrohet apo jo vettingut.
KA ka marrë në shqyrtim kërkesën e komisionerit publik Florian Ballhysa i cili kërkon shfuqizimin e vendimit të KPK-së për të ndalur procesin e vetingut për Zotin Llalla, në momentin që ky i fundit dha dorëheqjen.
Për këtë çështje KA ka zhvilluar tre seanca. Në seancën e fundit, të 6 qershorit, Zoti Ballhysa mbrojti kërkesën e tij me argumentin se dorëheqja e Llallës nuk është bërë brenda afateve të parashikuara nga ligji, ndaj KA nuk mund të përdorë pikën G të aneksit të Kushtetutës, siç e kemi shpjeguar këtu, për të ndërprerë procesin e vetingut.
Po ashtu ai ngriti dyshime nëse dorëheqja është nënshkruar nga vetë Adriatik Llalla.
Këto pretendime të komisionerit, u hodhën poshtë nga avokati mbrojtës i zotit Llalla, Sokol Hazizaj. Sipas tij, ish kryeprokurori ka zbatuar procedurat ligjore dhe ka kërkuar dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë.
Vetë Zoti Llalla nuk ka qenë i pranishëm në asnjë prej seancave të KA-së.
Ashtu siç e kemi shpjeguar dhe më parë, Adriatik Llalla vendosi të largohet nga sistemi i drejtësisë dhe të mos ushtrojë të drejtën e tij që në përfundim të mandatit si Kryeprokuror i Përgjithshëm, të kthehet në një pozicion në nivelin e Apelit. Më 10 shkurt, zoti Llalla njoftoi largimin e tij nga sistemi i drejtësisë, me anë të një letre drejtuar Presidentit Meta.
Në përgjigje të vendimit të Adriatik Llallës, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), vendosi më 16 shkurt 2018, të ndërpresë procesin e rivlerësimit.
Vendimi i KPK u mbështet në nenin “G” të Aneksit të Kushtetutës që parashikon se “subjekti i rivlerësimit mund të japë dorëheqjen nga detyra dhe në këtë rast procesi i rivlerësimit ndërpritet.”; si dhe në nenin 56 të ligjit Nr. 84/2016 “ Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e shqipërisë”, që parashikon se “[…]Në rastin e dorëheqjes, Komisioni merr vendim për pushimin e procedurës së rivlerësimit.”
Në kundërshtim me atë që parashikon ligji, komisioneri publik vendosi të ankimojë vendimin e KPK-së, në 27 mars 2018, 39 ditë më vonë se shpallja e vendimit dhe 24 ditë më vonë nga afati që parashikon ligji.