Rasti Llalla, Kolegji i Apelimit shtyn seancën për në 6 qershor

Rasti Llalla, Kolegji i Apelimit shtyn seancën për në 6 qershor

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot të shtyjë më 6 qershor seancën për ankimimin e Komisionerit Publik ndaj vendimit të KPK për të ndërprerë procesin e vetingut për ish-Kryeprokurorin Adriatik Llalla.

Trupi gjykues, i përbërë nga  Ina Rama, Sokol Çomo, Albana Shtylla,  Ardian Hajdari dhe Luan Daci, vendosi të marrë si prova aktin e dorëheqjes së Adritik Llallës si Kryeprokuror dhe aktin e lirimit të tij nga detyra në përfundim të mandatit, në dhjetor 2017.

Komisionerit publik dhe avokatit mbrojtës të Llallës i është lënë afat deri më 6 qershor që të përgatisin konkluzionet përfundimtare.

Seanca e 6 qershorit do të jetë seanca e tretë për të njëjtën çështja, pas asaj të 16 dhe 31 majit.

Ashtu siç e kemi shpjeguar dhe më parë, Adriatik Llalla vendosi të largohet nga sistemi i drejtësisë dhe të mos ushtrojë të drejtën e tij që në përfundim të mandatit si Kryeprokuror i Përgjithshëm, të kthehet në një pozicion në nivelin e Apelit. Më 10 shkurt, zoti Llalla njoftoi largimin e tij nga sistemi i drejtësisë, me anë të një letre drejtuar Presidentit Meta.

Në përgjigje të vendimit të Adriatik Llallës, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), vendosi më 16 shkurt 2018, të ndërpresë procesin e rivlerësimit.

Vendimi i KPK u mbështët në nenin “G” të Aneksit të Kushtetutës që parashikon se “subjekti i rivlerësimit mund të japë dorëheqjen nga detyra dhe në këtë rast procesi i rivlerësimit ndërpritet.”; si dhe në nenin 56 të ligjit Nr. 84/2016 “ Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e shqipërisë”, që parashikon se “[…]Në rastin e dorëheqjes, Komisioni merr vendim për pushimin e procedurës së rivlerësimit.”

Në kundërshtim me atë që parashikon ligji, komisioneri publik vendosi të ankimojë vendimin e KPK-së, në 27 mars 2018, 39 ditë më vonë se shpallja e vendimit dhe 24 ditë më vonë nga afati që parashikon ligji.

Lajme te ngjashme