Ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker shprehu mbeshtetjen e SHBA-ve per nisjen e bisediemve mes BE-së, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, sipas REL.
Reeker u shpreh për median, të premten se SHBA-të ia kanë “bërë të qartë qeverisë bullgare, si dhe një numri të anëtarëve të BE-së se ky proces duhet të ecë përpara”.
Ai vlerësoi arritjen e Marrëveshjes së Prespës, “në lidhje me marrëdhëniet me Greqinë dhe më gjerë me marrëdhëniet në rajon”.
“Ka sfida të mëdha në botë dhe askush nga ne, përfshirë Shtetet e Bashkuara, nuk mund t’i zgjidhë ato vetë. Ne duhet t’i zgjidhim me miqtë, partnerët dhe aleatët”, shtoi Reeker për mediat në Ohër.
Diplomati i lartë amerikan u takua me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me të cilin bisedoi për “forcimin e mëtejmë të partneritetit strategjik mes dy vendeve”, thuhet në një njoftim të kabinetit të presidentit maqedonas.
Në Ohër të Maqedonisë së Veriut vazhdoi të premten konferenca ndërkombëtare “Prespa Forum”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të shteteve nga rajoni, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara..
Në ditën e parë të forumit, zëvendësi i ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, shprehu dëshpërimin e tij që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk arritën të nisin negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, edhe për mosliberalizimin e vizave për Kosovën.