Me një diferencë shumë të vogël, Presidenti Erdogan dhe alternative e tij për t’i dhënë pothuaj pushtet absolut presidentit fitoi në referendumin e së dielës.
Prej rreth 50 milionë turqve që morën pjesë në votime, 51,3 për qind kanë votuar pro, ndërsa 48,8 për qind kundër ndryshimeve kushtetuese.
Në tre qytetet më të mëdha, Stamboll, Ankara dhe Izmir shumica e qytetarëve kanë votuat kundër.
Kryeministri i Turqisë Binali Yildirim shpalli, menjëherë pas votimeve, fitoren e presidentit Erdogan. Ky i fundit që kur erdhi në pushtet që prej vitit 2004, premtoi se do të ishte “një president ndryshe””, ç’ka rezultoi e vërtetë. Ndryshimet kushtetuese do ta kthejnë Turqinë nga një sistem parlamentar në një sistem ku presidenti mund të qeverisë vetëm, i kontrolluar minimalisht nga parlamenti.
Tashmë këshilli i ministrave do të emërohet dhe do jetë nën kontrollin e presidentit. Po ashtu buxheti do të miratohet nga ky i fundit. Me ndryshimet e reja, presidenti Erdogan mund të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2029.
Për herë të parë në historinë e republikës, ne po ndryshojmë sistemin tonë qeverisës përmes politikës civile,” tha presidenti turk, në një fjalim të shkurtër pas fitores.
Teksa mbështetësit e Erdogan kanë nisur të festojnë, partia kryesore opozitare tha se do të kërkojnë rinumërimin e një pjese të konsiderueshme të votave.
Votimi i së dielës ka ndarë Turqinë në dy grupe, shumë të afërta në numër, ku mbështetësit pretendojnë se ndryshimi do të sjellë efikasitet në qeverisje, ndërsa kundërshtarët e presidentit turk shprehen se ky është një hap i rrezikshëm kundrejt të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.
Vetë Presidenti Erdogan, që kur propozoi ndryshimet kushtetuese, argumentoi se reformat do të modernizonin procesin e zbatimit e politikave dhe do të anashkalonte proceset e panevojshme parlamentare që kanë penguar progresin.