Një déjà vu armene
Ndonjëherë është e nevojshme ta shohësh reformën në drejtësi në Shqipëri me sytë e një vendi tjetër. Në një artikull të mëparshëm kam shkruar për zhvillimet në lidhje me mbështetjen e BE-së ndaj reformës në drejtësi në Kosovë dhe Rumani, të cilat janë “në të njëjtën rrugë” shkatërruese me reformën në Shqipëri. Kësaj rradhe do të flas për Armeninë, e cila gjithashtu është gati për të nisur reformën në drejtësi.
Ideja për ndërmarrjen urgjente të një reforme në drejtësi, ashtu si në Shqipëri, ishte e natyrës politike.
Në maj 18 2018, një gjykatë armene vendosi të lirojë me kusht ish-presidentin e Armenisë Robert Kocharyan. Kocharyan ka qënë President nga viti 1998 deri në vitin 2008 dhe në mënyrë të paligjshme vendosi të shpallë gjendjen e emergjencës mbas zgjedhjeve të kontestuara, që u zhvilluan në Armeni në mars 2008. Si pasojë 10 persona u vranë në përplasje me policinë.
Mbas lirimit të kundërshtarit të tij, Kryeministri Nikol Pashinyan sulmoi gjyqësorin duke grumbulluar mbështetësit e tij në një protestë për të bllokuar gjykatën:
“Qytetarët e Armenisë e perceptojnë sistemin gjyqësor si një mbetje e sistemit të mëparshëm të korruptuar, ku komplotet ndaj qytetarëve vazhdimisht hapen dhe mbyllen. Deri në ç’masë është vërtetuar kjo teori është një tjetër diskutim.
Por fakti është që autoritetet gjyqësore nuk gëzojnë besimin e publikut dhe kështu mungon legjitimiteti për të vepruar, e cila tani përbën një kërcënim direkt të jetës së përditshme, qendrueshmërisë dhe sigurisë kombëtare të shtetit tonë.
Fatkeqësisht, nuk mund të them se gjyqësori nuk është subjekt ndikimeve të errta dhe të paligjshme që vijnë kryesisht nga sistemi i mëparshëm i korruptuar sepse të dy këto sisteme janë të lidhura nëpërmjet lidhjeve njerëzore, politike si dhe lidhje të tjera.”
Pashinyan më pas bëri thirrje për një reformë të plotë në sistemin gjyqësor, me të ashtuquajturin veting të gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Publiku duhet të ketë informacion të plotë për lidhjet politike të gjyqtarëve, origjinën, pasurinë dhe aktivitetin e mëparshëm si dhe karakteristikat individuale e profesionale të gjyqtarëve.”
Menjëherë kjo deklaratë u mbështet njëzëri nga ndërkombëtarët. Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës deklaroi:
Reforma në drejtësi mbetet prioritet dhe ne mirëpresim deklaratën e Kryeministrit Nikol Pashinyan për realizimin e një reforme rrënjësore në sistemin gjyqësor.
Ambasada e SHBA-ve deklaroi:
Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të punuar me armenët për forcimin e një sistemi të pavarur gjyqësor, i cili përfshin luftën ndaj korrupsionit dhe fuqizimin e sundimit të ligjit në institucione.
Deri më tani, paralelizmi me Shqipërinë është mahnitës. Edhe kryeministri shqiptar Edi Rama premtoi se do të sillte drejtësi mbas vrasjes së 4 qytetarëve nga garda gjatë një proteste, në kohën e qeverisë së Berishës. Për më tepër, kryeministri Rama shfaq pakënaqësi ndaj gjyqësorit, veçanërisht kur paraqiten çështje kundër anëtarëve të partisë së tij dhe kjo edhe një herë u bë e qartë në rastin e drejtorit të Hipotekës së Durrësit.
Po kështu, gjuha e flaktë e Pashinyan dhe kërkesa për realizimin e “vettingun” si një shpëtim i gjithanshëm për një reformë komplekse në drejtësi ngjason shumë me retorikën e Edi Ramës.
Si një parodi për realitetin, Ambasadori i BE-së në Armeni, Piotr Śëitalski, rekomandoi reformën në drejtësi në Shqipëri si një model “pozitiv” që armenët mund të ndiqnin:
Ne jemi të gatshëm të ndajmë përvojat me vendet e tjera, pasi BE është e përfshirë në reformat në Shqipëri, siç tha Ministri i Drejtësisë Artak Zeynalyan. Armenia duhet të vendosë vetë sepse jo çdo model mund të konsiderohet si një zgjidhje për problemet tuaja pasi vendet janë të ndryshme. Ekzistojnë disa modele të vettingut të cilat janë diksutuar zellshëm kohët e fundit. Ekzistojnë modele dhe përvoja të ndryshme, pozitive dhe negative. Unë mendoj se nëse shikojmë përvojën shqiptare, ajo shihet si pozitive. Ajo përfshin një proces të ndërlikuar ligjor, kërkon kohë dhe është e kushtueshme, por edhe në faqet zyrtare të BE-së mund të lexoni artikuj në lidhje me përvojën shqiptare dhe të shihni se e përgjithshmja që është pozitive.
Në të vërtetë, armenët do të bënin mirë të kontrollonin “faqen zyrtare të BE” nëse duan të lexojnë për këto përvoja “pozitive”. Nëse ata duan të mësojnë më shumë rreth asaj se si ta reformojnë gjyqësorin e tyre dhe t’i japin hapësirë Kryeministrit të tyre reformist, unë do të isha i lumtur t’i dërgoja disa nga artikujt e mi.
Kontrolli në Armeni, mosndërhyrje në Shqipëri
Këtu përfundojnë paralelet midis Armenisë dhe Shqipërisë. Sepse, ndërsa në Shqipëri komuniteti ndërkombëtar në mënyrë të pashpjegueshme i ka lejuar Kryeministrit Rama të lëshoj të gjithë forcën e tërbimit të tij mbi gjyqësorin, duke e bërë krijimin e një gjyqësori të pavarur plotësisht të pamundur, në Armeni vazhdojnë thirrjet për përmbajtje dhe respektim të pavarësisë së gjyqësorit.
Në deklaratën e tyre në mbështetje të reformës në drejtësi, raportuesit e PACE shtuan:
Aktorët politikë duhet të rishikojnë veprimet dhe deklaratat që mund të perceptohen si presion mbi gjyqësorin. Pavarësia e gjyqësorit është një parakusht për shtetin e së drejtës.
Gjithashtu edhe eurodeputeti Sajjas Karim, Drejtuesi i Delegacioni në Armeni, shprehu shqetësimin e tij, duke vënë në diskutim edhe retorikën e “vetingut”:
“Pa paragjykuar parimin e mos ndërhyrjes, ne duhet të shprehim shqetësimin tonë në lidhje me thirrjen e Kryeministrit Nikol Pashinyan për mbështetësit e tij për të bllokuar hyrjen në gjykatën e vendit më 20 Maj, dhe zbatimin e detyrueshëm të një vetingu popullor mbi të gjithë gjykatësit.
Ne e njohim plotësisht se politizimi i gjyqtarëve është një çështje e rëndësisë primare në Armeni[…]”
Këto deklarata janë domethënëse, në veçanti kur as Këshilli i Europës as Parlamenti Evropian – as aktorët ndërkombëtar — nuk kanë bërë asnjë deklaratë të ngjashme për sulmet e Kryeministrit Rama mbi gjyqësorin.
Ditën e premte, në një deklaratë të mjerë, Komisioni Europian u duk sikur e mbështeti sulmet e vazhdueshme të Ramës mbi gjyqësorin duke folur për “veprat penale” të kryera nga magjistratët.
Për më shumë, duket se në lidhje me Armeninë, Komisioni i Venecias në Këshillin e Europës ka mësuar nga gabimet e tij në Shqipëri. Kjo duket qartë në Raportin e Venecias publikuar më 11 korrik 2019:
“Në përgjigje të ftesës së autoriteteve armene, një delegacion i zyrtarëve të lartë të Këshillit të Europës, i drejtuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Të Drejtave të Njeriut dhe Shtetit të së Drejtës dhe përfshirë Sekretarin e Komisionit Evropian, vizituan Armeninë për të diskutuar mbi reformën në drejtësi.
Marrëveshja e arritur përcaktoi se nuk do të jetë i nevojshme apo i dobishëm një veting i përgjithshëm mbi gjyqtarët. Por duhet të forcohen procedurat disiplinore dhe duhet të ngrihet një lidhje me sistemin e deklarimit të pasurive. Për këtë qëllim, Kodi Penal duhet të ndryshohet deri në fund të Korrikut.”
Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se vetingu i të gjithë gjyqtarëve i cili solli krizën e thellë kushtetuese në Shqipëri, nuk ka qënë asnjëherë një domosdoshmëri absolute për gjyqësorin shqiptarë, por rezultat i një zgjedhje politike.
Kjo do të thotë se eksperimenti shqiptarë i zbatimit të vetingut për të gjithë gjykatësit dhe prokurorët ishte pikërisht: një eksperimet, rezultati i të cilit nuk dihet. Tani, tre vite më vonë, Komisioni i Venecias duket se është i vetmi organ ndërkombëtarë, deri më tani, që ka arritur në disa përfundime.
Ajo çfarë na paraqet situata në Armeni, dhe leximi i marrëveshjes së arritur është se: Qeveria dhe Komisioni Europian ka mbështetur vetingun e plotë — jo Komisioni i venecias apo ndonjë përfaqësi e gjërë e politikanëve armenë.
Vetingu gjithmoën ka qënë një program ekzekutiv nxitës që nuk është thelbësor për reformimin aktual të drejtësisë, e cila mund të marrë shumë forma dhe trajta. Vetingu ka qënë factor kryesor për paralizimin e sitemit gjyqësor dhe kapjen e tij nga Partia Socialiste.
Le të shpresojmë se Armenia do të mësojë nga gabimet shqiptare dhe të vazhdojë të injorojë thirrjet e Ambasadorit të BE-së në Armeni Sitalski.